Jan Zomer është futbollisti i ri i Interit. Zikaltrit njoftuan akordin mbrëmjen e së hënës. Zvicerani do të zëvendësojë Andre Onanën që u largua te Mançester Junajtid. Ai firmosi kontratën deri në verën e 2026-ës. Bajernn Mynihu do të përfitojë 6 mln Euro nga shitja e 34-vjeçarit.
Pasi firmosi kontratën, Sommer shkoi menjëherë në Appiano, ku u stërvit vetëm pasi skuadra kishte punuar në mëngjes. Ndërkohë në Itali e bën fakt të kryer arritjen e akordit për rinovimin e trajnerit Simone Inzagi.
Trajneri italian do të firmosë deri më 30 Qershor 2025, një vit më shumë se sa kontrata aktuale, raporton “Gazzetta dello sport”. Inzaghi u bë pjesë e Interit më 3 Qershor 2021, kur klubi e mori pas largimit të Antonio Kontes.
Në dy sezone me zikaltrit, ai ka drejtuar 109 takime dhe ka fituar 4 trofe; 2 Kupa Italie dhe 2 Superkupa Italie. Sezonin e kaluar ai e udhëhoqi Interin në finalen e Ligës së Kampioneve, me zikaltrit që u mundën nga Manchester City në Stamboll.
Klan News