Termometri arriti 44 gradë në Sevilla dhe Cordoba në qershor, ndërkohë që autoritetet iu bëjnë thirrje banorëve që të shmangin daljen në pikun e të nxehtit dhe të hidratohen në këto ditë të nxehta. Ndërsa në Itali temperaturat mund t’i afrohen thyerjes së rekordit evropian këtë javë, pasi një valë e fortë e të nxehtit ka përfshirë pjesën më të madhe të kontinentit
Qershori që përfundoi ishte më i nxehti i regjistruar ndonjëherë në Tokë. Dhe java e parë e korrikut pa tendencën të vazhdojë. Temperaturat në rritje të verës nxisin pyetjen: Sa nxehtësi mund të durojë trupi i njeriut? Vdekjet nga nxehtësia janë bërë mjaft të zakonshme dhe ndërsa bota nxehet, mund të bëhen edhe më të zakonshme nëse nuk zhvillohet një plan për ditët e nxehta ekstreme, si lloji i sistemit paralajmërues që zakonisht vjen përpara një stuhie të madhe.
SA NJERËZ HUMBËN JETËN NGA I NXEHTI EKSTREM NË EUROPË NË 2022?
Më shumë se 60,000 njerëz humbën jetën në Europë si pasojë e temperaturave ekstreme, ka gjetur një studim i ri, duke ngritur shqetësime për mungesën e përgatitjes së shumë vendeve për nxehtësinë ekstreme të nxitur nga ndryshimet klimatike. Evropa është kontinenti me ngrohjen më të shpejtë në botë, dhe gjithashtu përfshin shumë vende me popullsi të plakur dhe strehim dhe infrastrukturë të papërshtatshme ndaj nxehtësisë ekstreme. Nëse nuk futet një planifikim më i mire, sipas studimit, vdekjet e lidhura me nxehtësinë mund të jenë mesatarisht 68,000 në Evropë çdo verë deri në vitin 2030 dhe 120,610 deri në vitin 2050.
SA NXEHTËSI MUND TË DUROJË TRUPI I NJERIUT?
Nxehtësia mund të vrasë sepse trupat tanë janë të përbërë nga qeliza të mbështjella me membrana që, nëse nxehen mjaftueshëm, do të shkrihen. Ndërsa ne e mendojmë veten si kafshë me gjak të ngrohtë, biologët do të na quajnë homeotermikë – ne duhet të mbajmë një temperaturë thelbësore brenda një intervali të ngushtë rreth 98 F(36,6 gradë Celsius). Bërthama jonë mund të arrijë të mbijetojë deri në 104 F(40 gradë Celsius) për një kohë të shkurtër pa dëmtime të përhershme, tha Sam Cheuvront, një fiziolog i nxehtësisë që ka punuar për Institutin e Kërkimeve të Ushtrisë amerikane.
Trupat tanë ftohen duke dërguar gjak në lëkurë, ku shpërndan nxehtësinë në ajër. Por kjo funksionon vetëm derisa temperatura e ajrit të jetë rreth 95 F(35 gradë celsius), tha ai. Atëherë ka vetëm një mënyrë për t’u ftohur, që është djersitja. Djersa nuk është ajo që ju ftoh – është procesi i avullimit të djersës. Trupat e njerëzve nxehen shumë më shpejt në diell të drejtpërdrejtë sesa në të njëjtën temperaturë në hije. Rrjedha e ajrit mund të ndihmojë që djersa të avullojë dhe të lejojë që nxehtësia e trupit të shpërndahet.
Shumica e vdekjeve të lidhura me nxehtësinë nuk janë për shkak të goditjes së nxehtësisë, tha Jay. Të moshuarit dhe njerëzit me sëmundje të zemrës janë më të rrezikuar nga ataku në zemër, sepse mekanizmat ftohës të trupit krijojnë stres kardiovaskular kur shtyhen shumë fort. Të tjerë vdesin nga dështimi i veshkave nga një kombinim i gjakut që tërhiqet nga veshkat dhe dehidratimi. Sapo temperatura thelbësore e trupit fillon të rritet mbi 104 F(40 gradë celsius), gjërat bëhen të rrezikshme shumë shpejt. Nëse arrin në 106 F(41 gradë celsius), ka të ngjarë të pësoni goditje fatale nga nxehtësia. Njerëzit mund të përshtaten me nxehtësinë për disa ditë në një vend të nxehtë. Ata do të fillojnë të djersiten më shpejt, do të ulin temperaturën e tyre bazë dhe do të rrisin vëllimin e lëngjeve. Por përfundimisht nxehtësia mund t’i kapërcejë të gjitha këto përshtatje natyrore.
KU KA PATUR MË SHUMË VIKTIMA NË EUROPË?
Italia është renditur vendi që ka patur më shumë viktima, rreth 18 mijë, e ndjekur nga Spanja me rreth 11 mijë viktima dhe Gjermania 9 mijë viktima. Studimi u koordinuar nga Instituti i Barcelonës për Shëndetin Global dhe u publikua në Nature Medicine. “Vera e vitit 2022 ishte stina më e nxehtë e regjistruar në Evropë, e karakterizuar nga një seri intensive valësh të të nxehtit, që çuan në rritje të temperaturës, thatësirës dhe aktivitetit të zjarrit”, shpjegojnë studiuesit. Në të gjitha vendet evropiane vapa ka goditur më shumë femrat (63% e vdekshmërisë totale) dhe popullatën mbi 80 vjeç.
TEMPERATURAT NË RRITJE NË 2023
Termometri arriti 44 gradë në Sevilla dhe Cordoba në qershor, ndërkohë që autoritetet iu bëjnë thirrje banorëve që të shmangin daljen në pikun e të nxehtit dhe të hidratohen në këto ditë të nxehta. Ndërsa në Itali temperaturat mund t’i afrohen thyerjes së rekordit evropian këtë javë, pasi një valë e fortë e të nxehtit ka përfshirë pjesën më të madhe të kontinentit. Një anticiklon, i quajtur Cerberus do të bëjë që temperaturat të kalojnë 40 gradë celsius në pjesën më të madhe të vendit deri të mërkurën, me ishujt e Siçilisë dhe Sardenjës që parashikohet që temperaturat të shkojnë 47-48 gradë celsius. Rekordi për temperaturën më të lartë në historinë evropiane u thye më 11 gusht 2021, kur u regjistrua një maksimum prej 48,8 gradë Celsius në Floridia, një qytet në provincën siciliane të Sirakuzës.