Gjenerali Patrick Sanders ka theksuar se shtimi i rezervistëve “nuk është i mjaftueshëm”. Ai ka vënë në dukje rrezikun e Rusisë dhe ka kërkuar që të investohet më shumë në forcimin e ushtrisë britanike, sipas “BBC”.
Patrick nuk ka folur për detyrimin – ku burrat që arrijnë moshën e caktuar për luftë duhet të shkojnë në ushtri – por ka vlerësuar lartë pjesëmarrjen vullnetare në rast të një konflikti.
“Paraardhësit tanë nuk i bënë dot llogaritë e pasojave të të ashtuquajturës Krizës së korrikut në 1914 dhe u futën në luftërat më të tmerrshme. Ne nuk duhet të përsërisim të njëjtin gabim sot. Ukraina është shumë e rëndësishme.”
Kjo nuk është hera e parë që ai ka alarmuar për rritjen e mundësisë për luftë. Ai ka thënë se lufta e Rusisë në Ukrainë nuk ka të bëjë vetëm me tokë, por me prishjen e sistemit dhe jetës së të gjithëve. Patrick ka përmendur masat që po marrin Suedia dhe Finlanda për të qenë gati pas alarmimit për luftë. (bild.mk)
