Turneu i kantautores amerikane Taylor Swift, i quajtur “Eras”, ka nxitur një kërkesë të jashtëzakonshme për udhëtime ajrore për në Europë, ku ajo do të këndojë në 15 qytete midis majit dhe gushtit. Këtë e ka bërë të ditur kompania spanjolle e prenotimit të udhëtimeve në internet “eDreams ODIGEO”, e cila ka raportuar një rritje të madhe të rezervimeve për fluturime drejt vendeve ku do të performojë Swift.
Sipas eDreams, kërkesa për fluturime për në Stokholm, ku Swift do të hapë turneun e saj më 17 maj, është rritur gjashtë herë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjithashtu, kërkesat për fluturime për në Varshavë, Edinburg, Liverpool dhe Paris, ku Swift do të këndojë pas koncerteve të saj, u rritën me 339%, 176%, 133% dhe 108%, respektivisht. Kompania tha se kërkesa transatlantike ishte më e lartë se kurrë, duke treguar entuziazmin e fansave të Swift nga Amerika për të shkuar në Europë për të parë idhullin e tyre.
Swift do të këndojë edhe në Cyrih, Lion, Milano, Amsterdam, Vjenë dhe Madrid, ku kërkesat për fluturime gjithashtu kanë shënuar një rritje të konsiderueshme. Turneu i Swift, i cili është një homazh për albumet e saj, është një nga turnetë më të mëdha dhe më të suksesshme të historisë së muzikës. Swift ka një ndikim të fuqishëm në industrinë muzikore dhe ekonominë, siç është vërtetuar edhe në SHBA, ku ajo ka thyer shumë rekorde me turneun e saj. (bild.mk)
