Elon Musk, CEO i X, tha të shtunën se shërbimi i tij i internetit me bazë satelitore Starlink do të mbështesë lidhjen me grupet e njohura ndërkombëtare të ndihmës në Gaza, ku Izraeli ka ndërprerë pothuajse të gjithë komunikimin dhe ka nisur një ofensivë tokësore.
Njoftimi i Musk erdhi si përgjigje ndaj një postimi të Përfaqësueses së SHBA-së, Alexandria Ocasio-Cortez, e cila dënoi ndërprerjen e komunikimit si “të papranueshme” dhe tha se rrezikonte jetë të pafajshme.
Musk nuk tha nëse do t’u siguronte qasje civilëve të tjerë në Gaza, ku më shumë se 2.2 milionë njerëz jetojnë nën një bllokadë të vendosur nga Izraeli dhe Egjipti.
Starlink, i cili synon të ofrojë akses të përballueshëm në internet në zonat e largëta, është përdorur nga Ukraina për të kundërshtuar agresionin rus në rajon. Megjithatë, Musk u përball me kritika nga një zyrtar ukrainas muajin e kaluar pasi u zbulua se ai e pengoi Ukrainën të niste një sulm ndaj marinës ruse duke përdorur Starlink. Sipas të dhënave në biografin e Musk , ai urdhëroi inxhinierët e tij të çaktivizonin rrjetin e tij Starlink mbi Krimenë e pushtuar nga Rusia vitin e kaluar. (politiko.makdomen.net)