– Pas gjithë arsenalit të veprimeve tipike VMRO-iste, si qershi mbi tortë është përcaktimi i BDI-së për Talat Xhaferin si kandidat për kryeministrin, që e ka dezorientuar edhe më shumë VMRO-në dhe Mickoskin, për t’i thelluar edhe më shumë dilemat a të “delegojë” ministra të vet nën dirigjimin e “ish-komandantit të UÇK-së”!
Shkruan: indeks.mk
LSDM-ja këto ditë ia bëri një “portretim” VMRO-së, pikërisht ashtu siç e dimë këtë parti ndër vite. “Politikat destruktive të VMRO-DPMNE-së, përpjekjet për ta frenuar vendin, të bllokohet Kuvendi, i shohim me vite. VMRO_ja dhe nuk di tjetër gjë, sepse nuk ka ofertë për qytetarët. Nuk se janë përpjekje të reja për të krijuar kriza…Siç nuk kanë pasur sukses deri tash, nuk do t’ia dalin as këtë herë. Nuk do të gjejnë alibi, Mickoskin e pret disfatë e dyfishtë në zgjedhje, ai e di mirë këtë” ishte deklarata e zëdhënësit Darko Kaevski, pasi nga VMRO-ja nuk ishin të qartë se a do të marrin pjesë dhe me kë në qeverinë teknike.
Një parti që përherë i ka në fjalorin e vet interesat nacionale dhe rreziqet iracionale, që nga shqiptarët e gjer te fqinjët,(këta shpesh i irritonte me projekte të tipit të antikuzimit të identitetit të ri përmes “Shkupit 2014”) , e në praktikë vepron gjithnjë kundër atyre interesave.
Historia e veprimtarisë politike të saj, e dëshmon këtë. Një parti e cila kur është në opozitë din të jetë vazhdimisht e pakënaqur, që të këtë kënaqësi e shpreh përmes rrugës ose bllokadave institucionale, e kur është në pushtet, përmes autokratizmit, keqmenaxhimit dhe keqpërdorimit të pozitës së pushtetit, zor se mund ta quash parti konstruktive.
Një parti që përherë i ka në fjalorin e vet interesat nacionale dhe rreziqet iracionale, që nga shqiptarët e gjer te fqinjët,(këta shpesh i irritonte me projekte të tipit të antikuzimit të identitetit të ri përmes “Shkupit 2014”) , e në praktikë vepron gjithnjë kundër atyre interesave.
Më e fundit nga arsenali politik i saj, është “hamendja” a të marrë pjesë në qeverinë teknike parazgjedhore, apo jo. Do të donim që këtë mundësi që i jep ligji dhe ta shfrytëzojë, por duke njohur stilin e veprimit, nuk do të na habiste që dhe ta bojkotojë. LSDM-ja rivale tashmë po e heton se si do të jetë vendimi i fundit dhe arsyet pse.
Arsyeja, sipas zëdhënësit të LSDM-së, është alibi për disfatën zgjedhore.
Në të vërtetë, arsyeja për mospjesëmarrje kjo parti mund të gjejë mjaft. Tashmë e kanë krijuar narrativin anti-BDI ku dominon teza sikur BDI-ja është “pronari” i vërtetë i shtetit e LSDM-ja vetëm shërbetore, se BDI-ja shet interesat maqedonase, se BDI-ja e ka zënë rob sistemin dhe shumëçka tjetër sa me ngjyrim sa politik, aq edhe etnik. Dhe si qershi mbi tortë është përcaktimi i BDI-së për Talat Xhaferin si kandidat për kryeministrin, që e ka dezorientuar edhe më shumë VMRO-në dhe Mickoskin, për t’i thelluar edhe më shumë dilemat a të “delegojë” ministra të vet nën dirigjimin e “ish-komandantit të UÇK-së”. Një narrativ “i mirëseardhur” për VMRO-në, për të tërhequr një pjesë naive të publikut.
Këto dilema janë floskula boshe dhe bajate, sepse s’ka asgjë të re. Ende sillet si nusja e lënë para oltarit para nënshkrimit të kurorëzimit, duke harruar se BDI-ja nuk mund të kalonte para bëmave që dolën publikisht nga reportori i përfaqësuesve të VMRO-së gjatë qeverisjes që kishin “vërtitur” miliona. Kjo do të ishte pjesë e arsyes për të mos u përfshirë në qeverinë teknike të Talat Xhaferit, por edhe më shumë, për të mos “u përulur” para një “kryeministri shqiptar” në qeverinë e Maqedonisë, sepse, “Makedonija na Makedoncite”, është teza të cilën nuk e kanë braktisur asnjëherë disa koka që e udhëheqin këtë parti. Kjo parti, vazhdon ta kultivojë këtë mendësi të mbrapshtë, sipas të cilës, vetëm maqedonasit mund ta udhëheqin shtetin, e jo të tjerët. Sidomos jo shqiptarët, ndonëse dihet katërçipërisht se më parë ka pasur qeveritarë që i kanë përkitur ndonjë bashkësie më të vogël etnike, por kjo është normale, vetëm shqiptar të mos jetë!
Ka dhe një argument tjetër problematik. “Qeveria teknike”nuk është shpikur as nga LSDM-ja, as nga BDI-ja, por është pjesë e një marrëveshjeje politike, të cilën e ka nënshkruar edhe VMRO-ja, e ashtuquajtura “Qeveri e Përzhinos”, që ka lindur si rezultat i mosbesimit të ndërsjellë të partive për menaxhimin e zgjedhjeve, për të cilat, kishin dalë në shesh shumë manipulime që i kishte bërë pikërisht VMRO-ja. Kohë ma parë Mickoski deklaroi se nuk ka më nevojë për “Qeveri teknike”, por ai vetë e di se kjo mund të ndodhë vetëm me një marrëveshje të re, të cilën nuk e kemi.
Vërtet duhet të presim çka do të bëjë Mickoski. Arsyet për publik janë këto që i thamë, por tjetra, në emër të kësaj, me abstinencën e vet, vërtet mund të krijojë një alibi për humbjen. Se ka një pasiguri te kjo parti, ishte dhe paralajmërimi indirekt se nuk heqin dorë për të bërë koalicione edhe me parti esi E Majta e Apasievit, një parti e ekstremit të majtë, që është e papërputhshme me “djathtizmin” e VMRO-së. Këtë me gjasë edhe nga mundësia për koalicion midis forcave proevropiane në Frontin për Evropë që ka kohë që po e propagon Ali Ahmet e që e kanë përqafuar edhe në LSDM dhe parti të tjera, që është shenjë e keqe ër partinë e Mickoskit. Sepse dihet se përkundër të gjitha përpjekjeve të VMRO-së për ta ngritur ndjenjën e euroskepticizmit, pjesa dërrmuese e qytetarëve të vendit tonë, në çdo anketë deklarohen pro BE-së, fakt ky që e tmerron dhe e bën nervoze udhëheqësinë e saj.
