Me pritje të gjata deri në shtatë orë janë ballafaquar mërgimtarët pasditen e së enjtes derisa po ktheheshin në vendet perëndimore nëpërmjet pikës kufitare me Serbinë, në Merdar. Disa prej tyre kanë thënë se momentet e mira që i kanë kaluar gjatë pushimeve në Kosovë, nuk zbehen nga pritjet e gjata në kufi
Deri në shtatë orë kanë pritur mërgimtarët të enjten në pikën kufitare me Serbinë në Merdar, ku kolona e automjeteve ka qenë disakilometërshe.
Në orët e mëngjesit pritjet kanë qenë deri në pesë orë, për t’u zgjatur më pas në rreth shtatë orë.
Me gjithë pritjet, disa nga mërgimtarët thanë se janë të mësuar me kolona.
“Prej orës tetë e gjysmë në mëngjes jemi duke pritur, nja gjashtë orë gati. Lodhje kemi boll, por s’kemi çfarë të bëjmë, vendlindja kështu e ka. Po duhet të vijmë pak për të vizituar familjen. Jemi mësuar të presim. Çka të bëjmë, s’kemi çka të bëjmë. Lodhje kështu pak po, ama kur po shkojmë atje po i harrojmë. Është pushimi i verës, s’kemi çka të bëjmë”, tha mërgimtari Nysret Avdyli.
E Ganimete Bytyçi thotë se pritjet nuk ia prishin momentet e mira nga pushimet në vendlindje.
“Prej orës tetë të mëngjesit jemi këtu. Kolona ka qenë thuajse prej Podujevës. Kështu që tash është ora dy. Pushimi normal nuk prishet dhe njeri çka përjeton sene të mira, ato mbesin gjithmonë. Ama pak lodhje kam, po çfarë të bëj, pushimi i ka këto. E kemi edhe kufirin Serbi-Hungari, atje pritet me pasë edhe ma shumë (pritje)”, ka thënë ajo.
Për mërgimtarin Xhavit Abdullahu thotë se pritjet ia vlejnë edhe nëse vizita në Kosovë bëhet veç për dy ditë.
“Unë për vete pres edhe dhjetë sahat se ia vlen. Ia vlen me ardhë dy ditë, ia vlen. Veç me pa familjen është fantazi. Ama për fëmijë është problem”, tha ai, tek udhëtonte me veturë bashkë me gruan dhe djalin.
Për pritjet e gjata mërgimtarët kanë bërë fajtorë policinë kufitare serbe, pasi sipas tyre, Policia e Kosovës është e varur nga puna ose mospuna e policëve matanë kufirit.
Përveç në Merdar, sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritje në dalje të Kosovës ka pasur edhe te Dheu i Bardhë, rreth dy orë e gjysmë, në Mutivodë, afër dy orë, dhe në Muçibabë, një orë e gjysmë. Në pjesët e tjera nuk ka pasur pritje as në hyrje e as në dalje nga Kosova.watch