Kur u zbulua në fillim të verës se Kylian Mbappe kishte informuar Paris Saint-Germainin se nuk do ta zgjaste kontratën e tij pas vitit 2024, e ardhmja e yllit francez në mënyrë të pashmangshme u bë përsëri tema kryesore e afatit kalimtar.
Kontrata që sulmuesi nënshkroi në vitin 2022 fillimisht u shpall si një kontratë tre-vjeçare. Në realitet, megjithatë, viti i fundit është pjesë e një opsioni, që vetëm nëse dëshiron lojtari mund ta aktivizojë.
Pra, Mbappe ka kontratë me PSG-në deri më qershor 2024, që nënkupton se ai mund të largohet si futbollist i lirë verën tjetër.
Kësisoj, kampionët francezë janë të interesuar ta shesin 24-vjeçarin në këtë verë, për të mos e humbur pastaj falas – gjithmonë nëse Mbappe nuk ndryshon mendje për të aktivizuar opsionin për rinovim të kontratës, që duket se nuk do të ndodhë.
“L’Equipe” ka raportuar këtë mbrëmje se diskutimet joformale midis kampit të lojtarit dhe PSG-së kanë rifilluar. Klubi beson se fituesi i Kupës së Botës dëshiron të largohet si futbollist i lirë vitin e ardhshëm, në mënyrë që ai të fitojë më shumë para personalisht nga klubi i ardhshëm.
Largimi si futbollist i lirë i tij do të vinte gjithashtu në rrezik projektin afatgjatë të klubit nga “Parc des Princes”, duke pasur parasysh se tarifa e ardhshme e transferimit që do të sillte transferimi i tij i ardhshëm u mor në konsideratë në lidhje me llogaritjet e “Fair-Play”-it Financiar.
Nga këto diskutime besohet se klubi nga Parisi i ka caktuar 31 korrikun si një afat ish-sulmuesit të Monacos, për të vazhduar kontratën deri më 30 qershor 2025, në të kundërtën klubi do të punojë për shitjen e tij gjatë gushtit.
Real Madridi konsiderohet si klubi favorit për transferimin e Mbappes.