Propozim-vendimi për sigurimin e ndihmës makrofinanciare për Maqedoninë e Veriut nga ana e BE-së do të gjendet në rend dite të seancës së Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm të Qeverive të Vendeve Anëtare në Bashkimin Evropian (KOREPER), që fillon sot.
Me Propozim-vendimin, të miratuar nga Komisioni Evropian më 6 shkurt të këtij viti, parashikohet sigurimi i ndihmës makrofinanciare për vendin në një vlerë deri në 100 milionë euro, për përballje me pasojat e shkaktuara nga agresioni rus ndaj Ukrainës.
Siç lajmëroi reportuesi special i MIA-s nga Brukseli, Propozim-vendimi i Komisionit Evropian më 13 qershor është miratuar nga Parlamenti Evropian në lexim të parë, pas së cilës tani i propozohet KOREPER-it që ta miratojë.
“Rezultati nga votimi në Parlamentin Evropian e pasqyron marrëveshjen e arritur ndërmjet institucioneve për pranimin e propozimit të Komisionit dhe për këtë arsye duhet të miratohet. Prandaj, kërkohet nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm që të konfirmojë pëlqimin dhe t’i propozojë Këshillit që ta miratojë qëndrimin e Parlamentit Evropian”, theksohet në propozim-iniciativën që duhet të shqyrtohet në seancën e sotme të KOREPER-it.
Që vendimi të miratohet përfundimisht, ai duhet të miratohet nga Këshilli i BE-së, pas së cilës do të hyjë në fuqi pasi të nënshkruhet nga kryetarët e Parlamentit Evropian dhe Këshillit dhe të publikohet në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.
Siç theksohet në tekstin e Propozimit, me këtë vendim Komisioni Evropian “qëndron pranë Maqedonisë së Veriut në këto kohëra sfiduese, sepse pas luftës agresive ruse kundër Ukrainës, bilanci i jashtëm i vendit është përkeqësuar për shkak të varësisë së tij të madhe nga importet e karburantit dhe energjisë elektrike.
“Ndihma e propozuar do të kontribuojë për mbulimin e nevojave financiare të Maqedonisë së Veriut në vitin 2023 dhe 2024, duke mbështetur qëndrueshmërinë fiskale dhe reformat strukturore. Propozimi shoqërohet me programin për mbështetje 24 mujore të lidhur me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) prej 530 milionë euro.
Është paraparë që ndihma të paguhet në formë të huave në dy këste, por pagesa e tyre do të varet nga reformat e politikave në fushat e menaxhimit fiskal, politikës tatimore, menaxhimit të investimeve publike, partneriteteve publike-private, mjedisit afarist, transparencës në ndihmën shtetërore, efikasitetin energjetik, reformat në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe nga zbatimi i programit të FMN-së.
Ndihma makrofinanciare është pjesë e angazhimit më të gjerë të BE-së për mbështetje të vendeve kandidate për anëtarësim dhe partnerët e fqinjësisë, e paraparë si një instrument i jashtëzakonshëm për përgjigje ndaj krizave në rast të problemeve serioze me bilancin e pagesave.
Në prill të vitit 2020, Komisioni Evropian miratoi një propozim paketë për ndihmë makrofinanciare në një vlerë prej 3 miliardë euro të destinuar për 10 vende kandidate për anëtarësim dhe partnerët nga fqinjësia të destinuara për kufizim të pasojave ekonomike të pandemisë së Kovidit. Vendimi u miratua nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së në maj të të njëjtit vit.
Si pjesë e kësaj pakete, BE-ja i ndau vendit ndihmë makrofinanciare në një vlerë prej 160 milionë euro. Kësti i parë prej 80 milionë euro është paguar në tetor të vitit 2020 dhe i dyti, gjithashtu në njëvlerë prej 80 milionë euro, në qershor të vitit 2021, pas një vlerësimi pozitiv të Komisionit Evropian për përparimin e arritur në përmbushjen e kushteve lidhur me këtë ndihmë.