-“Vullnetarët e fshatit Karakurt” iu drejtohen edhe shqiptarëve për të ndihmuar luftën e tyre përmes donacioneve…
Daut Dauti /shkrim ekskluziv për gazetën Koha/
Pas shumë kohësh, në mesenxherin e facebookut më vjen një mesazh, më saktë, një link, që ma kishte dërguar një shqiptare nga Ukraina. Është mësuesja Svetllana, një personazh për mua i njohur nga më parë nga vizitat në fshatin Karakurt të Ukrainës dhe nga dy vizitat në Maqedoni të disa banorëve të atjeshëm në festivalin “Sharri këndon” para më shumë se dy dekada, dhe para katër vitesh, me një grup nxënësish në ekskurzionin e tyre nëpër Shqipëri dhe Maqedoni.
E përshëndes mësuesen Svetllana dhe e pyes si është gjendja atje.
“Jemi në shtëpi, nuk kemi vrapuar askund. Ne përpiqemi të mos kemi panik, të mos humbasim zemrën, ne punojmë, ne mbështesim djemtë tanë që na mbrojnë. Unë dhe motra ime jemi vullnetare, çdo muaj ajo shkon te mbrojtësit tanë në vijën e parë, merr atë që na urdhërojnë. Çdo herë e kemi më të vështirë mbledhjen e donacioneve, ndaj tashmë po i drejtohemi miqve dhe të njohurve jashtë vendit.”, ma kthen ajo menjëherë, me këtë shqipe të sipërcituar, pa asnjë intervenim gjuhësor.
Në linkun (https://www.justgiving.com/crowdfunding/tetiana-siupiur-project2?fbclid=IwAR2airOaDmTZPvOQGFhbBie4ZwjCD5H3T27fon42zyTlC5xhN3PmjQnBHKs) që ma ka dërguar, bën fjalë pikërisht për nevojën për ndihmë me të cilën u drejtohen kësaj radhe edhe shqiptarëve kudo që janë.
Apeli për ndihmë është shkruar në dy gjuhë, anglisht dhe shqip dhe nën të është nënshkruar një shqiptare tjetër nga Ukraina, Mirabelle Supir, e njohur nga paraqitjet e saj në mediat shqiptare si një koreografe e talentuar që para lufte. Me fillimin e luftës, ajo gjeti strehim në Shqipëri bashkë me një grusht shqiptarësh, të cilët në vend të Evropës, zgjodhën të jenë refugjatë në vendin e të parëve të tyre.
Citojmë pjesë të apelit në gjuhën shqipe:
“Të dashur miq!
Ne jemi vullnetar nga një fshat I vogël në Ukrainën Juglindore, Karakurt, Fshati ynë është I krijuar nga njerëz me prejardhje të ndryshme. Ky fakt e bën atë kaq unik dhe të vecantë. Jemi Shqiptarë, Bullgarë, Gaugazian, Ukrainas, Rusë, Egjyptianë, Azerbaxhanas dhe disa origjina të tjera. Të gjitha këto kombësi kanë jetuar krah për krah, në paqe dhe harmoni për shekuj. Edhe pse me origjina të ndryshme, ne jemi lindur dhe rritur në Ukrainë. Ajo është shtëpia dhe atdheu ynë.
Lufta që Rusia nisi në 24 Shkurt 2022 dhe ende po vazhdon në Ukrainë, është tragjedia më e madhe që po na ndodh të gjithëve ne, së bashku.
Në Këto ditë tragjike shumë nga bashkëfshatarët tanë po luftojnë me armë në dorë për të mbrojtur Ukrainën. Të tjerë po dalin vullnetarë të ndihmojnë ushtrinë – Forcat e Bashkuara të Ukrainës (AFU). Në sajë të kësaj pune vullnetare, bashkë me ndihmën e banorëve dhe bashkëfshatarëve, ne kemi arritur të sigurojmë një ndihmë të konsiderueshme për ata që kanë nevojë. Së pari në ndihmuam njerëzit të lëviznin nga zonat e betejave, më pas ushtarët e ushtrisë sonë. Të ndihmojmë luftëtarët tanë është prioritet, në këtë moment, për shkak të luftimeve të ashpra që po ndodhin këto ditë.
Fshati ynë është i vogël dhe pothuajse gjysma janë të moshuar. Pavarësisht kësaj, ne kemi bërë shumë dhe duam të bëjmë më shumë. Por për këtë ne duam ndihme. Ndihmën tuaj, të dashur miq!
Ne besojmë se përpjekjet tona të përbashkëta janë më të forta se sa agresioni Rus dhe terrori kundër civilëve.
Ne jemi përjetësisht mirënjohës për ndihmën dhe mbështetjen nga secili prej jush.“
Më tutje thuhet edhe konkretisht për çfarë nevojash kanë ushtarët e tyre: Brigade 35 kanë nevojë për dylbi, si dhe goma për makina; Brigadë 118 kanë nevojë për një imazher termik, largësi matës, timon, barela, mushama për t’i mbrojtur nga shiu; Batalion Special Detar 88 kanë nevojë për rrota për makinat e tyre, 4 sedilje po për makinat.
Pa ndihmën tuaj do jetë shumë më e veshtirë të blihen këto paisje të domosdoshme që do t’u vijnë në ndihmë njerëzve që po na mbrojnë, thuhet në fund të letrës së nënshkruar nga “Vullnetarët e fshatit Karakut”.
Kush janë “Vullnetarët…”, na përgjigjet vetë mësuesja Svetllana:
“Ne jemi qytetarë të Ukrainës, njerëz të thjeshtë, jemi patriotë, duam të ndihmojmë ushtrinë tonë. Jemi vullnetarë nga fshati i vogël Karakurt. Lufta që filloi më 24 shkurt 2022 ishte ngjarja më e tmerrshme në jetën tonë. Shumë nga bashkëfshatarët tanë me armë në duar shkuan për të mbrojtur Ukrainën. Ne kemi vendosur të ndihmojmë ushtrinë tonë, ZSU. Gjatë aktiviteteve tona vullnetare, me ndihmën e banorëve dhe vendasve të fshatit tonë, kemi ofruar ndihmë të konsiderueshme, fillimisht mërgimtarët nga zonat e luftës, pastaj luftëtarët e BSU-së. Tani asistenca e ZSU-së është prioritet për ne. Ne ndihmojmë njësi specifike në të cilat shërbejnë djem nga fshati ynë, rajoni ynë dhe më gjerë. Ne kontaktojmë komandantin e njësisë, sqarojmë listën e parametrave të nevojshëm, të saktë – gjithçka është në detaje. Ne shpallim një mbledhje fondesh në mesin e popullatës, blejmë gjithçka sipas listës dhe ua çojmë mbrojtësve tanë, e kalojmë dorë më dorë, më rrallë e dërgojmë me postë. Djemtë na falënderojnë, dërgojnë foto, video, shkruajnë komente. Për ne është shumë e rëndësishme që ajo që blejmë për ta të jetë e përshtatshme, e dobishme, të ndihmojë në kryerjen e misioneve luftarake, t’u shpëtojë jetën.”
Edhe pse Karakurti është larg vijave të frontit, ai është përfshirë në të me pjesëmarrje të banorëve të tij, qoftë si luftëtarë, qoftë si logjistikë. Mësuesja Svetllana na tregon se që nga fillimi i luftës, shumë burra nga fshati kanë dalë në mbrojtje të Ukrainës. Deri tash kë një të vdekur, djem të plagosur, një person të zhdukur dhe dy në robëri.
Për fat, thotë ajo, raketat nuk fluturojnë mbi fshatin tonë dhe ne u jemi shumë mirënjohës mbrojtësve tanë për një gjumë të qetë.
Por as ajo, e as banorët tjerë nuk rrinë pa u kyçur në gjithë atë që don të thotë mbrojtje nga agresioni. Vetë Svetllana me motrën Lyubov Nyaglova kanë çuar ndihmë në vijën e pare të frontit, madje disa here kanë qenë edhe pranë Bakhmutit, qytetit ku me muaj luftonin ukrainasit për të mos e marrë forcat ruse.
Nëse vetë Karakurti këtë një vit e sa muaj pas fillimit të luftës ka kaluar pa pasoja më të mëdha, nuk mund të thuhet për fshatrat tjerë të banuar me shqiptarë, që janë pikërisht në vijën e frontit, në brigjet e Detit Azov. Sepse ndër qytetet e para që ranë në duart e pushtuesve, ishte Melitopoli, një qytet fare afër fshatrave Taz, Qyshki dhe Gjendran, të cilat i patëm vizituar për here të pare me kolegët Sefer Musliun dhe Afet Miftarin nga TVM-ja në vitin 1993 dhe katër vite më vonë i kishim vizituar prapë.
“Jemi shumë të shqetësuar për ata shqiptarë që u gjendën nën okupim që në ditët e para të luftës. Ne nuk kemi asnjë lidhje me ta.”, thotë mësuesja Svetllana. Për ta, as që kanë si t’u ofrojnë ndihmë.
Në këtë apelin e botuar në internet dhe rrjetet sociale, vullnetarët e fshatit Karakurt u drejtohen shtetasve të huaj sidomos biznesmenëve që mund të ofrojnë ndonjë donacion. Edhe shqiptarëve kudo që janë, kuptohet, në veçanti. Deri tash kush ka mundur ka ofruar ndihmë, edhe banorë nga fshati Karakurt që jetojnë në qytete të botës.
Po si t’u ofrohet ndihma nga larg? Mirabell Supir, e cila bashkë me të tjerë e ka nxjerrë në facebook apelin për ndihmë, në fund të tekstit e ka vënë edhe këtë xhirollogari për të gjithë ata që do të donin ta ndihmojnë ushtrinë ukrainase. 4441 1111 3010 2613 Monobank.
“Meqenëse djem nga departamente të ndryshme filluan të na kontaktojnë, u bë e qartë se nuk mund të përballonim vetë, kishim nevojë për ndihmë më serioze materiale. Prandaj, ne u drejtohemi miqve dhe të njohurve në mbarë botën. Jeta në vendin tonë nuk ka të ndalur.”, thotë Svetllana, e cila më tutje na e përshkruar edhe jetën që në kushte jo normale, përpiqet ta ruajë një fare lloj normaliteti.
“Pavarësisht granatimeve të vazhdueshme, sulmeve terroriste nga Rusia, ne vazhdojmë të jetojmë, punojmë, mësojmë, edukojmë, prodhojmë, mbjellim fusha dhe besojmë në fitoren tonë. Nuk duhet të jetë ndryshe. Agresioni dhe e keqja duhet ndalur. Ne jetojmë me besim në Fitoren tonë, Fitoren e Ukrainës.”, shpreh besimin mësuesja, e cila në fund shton : “Ne, vullnetarë nga fshati i vogël shumëkombësh i Karakurtit, shpresojmë në mirëkuptimin dhe ndihmën tuaj”.
(Marrë nga gazeta “Koha”, 23 qershor 2023)