Mbaron pushimi për futbollistët e FC Shkupit. Ekipi bardheblu sot nis përgatitjet për ndeshjet europiane të kësaj vere. Grumbullimi i futbollistëve të Shkupit do të bëhet sot në stadiumin e Çairit.
Nën-kampionët e vendit do të qëndrojnë në Çair deri me 5 qershor, ndërsa më pas do të zhvendosen në Ohër për të nisur fazën e parë më serioze të përgatitjeve.
Qëndrimi në qytetin buzë liqenit të Ohrit do të jetë deri me 12 qershor, ndërsa më pas bardheblutë do të kthehen në kryeqytet për dy ditë, që me datë 16 qershor të niset për në kampin stërvitor në Bollu të Turqisë, ku do të qëndrojnë deri më 30 qershor.
Në këtë periudhë përveç përgatitjes fizike dhe taktike, Shkupi do të zhvillojë edhe disa ndeshje kontrolluese.