Dikur një figurë në hije, Yevgeny Prigozhin ka ngritur gjithnjë e më shumë profilin e tij publik, duke u mburrur pothuajse çdo ditë për fitoret e supozuara të “Wagnerit”, duke u tallur me armiqtë e tij dhe duke u ankuar për hierarkinë ushtarake ruse
Kreu i kontraktorit ushtarak privat rus Wagner iu kthye një teme të njohur këtë javë – duke goditur udhëheqjen ushtarake të vendit për dështimet në luftën në Ukrainë. Kjo është diçka që vetëm disa të zgjedhur mund ta bëjnë publikisht pa marrë hakmarrje nga Kremlini.
Komentet nga Yevgeny Prigozhin nënvizuan grindjen e tij të gjatë me Ministrinë e Mbrojtjes.
Këtë herë, megjithatë, ato erdhën pasi Moska mund të mburrej me një fitore të rrallë, shumë të nevojshme në luftën 15-mujore në Ukrainë, kur Prigozhini dhe luftëtarët e tij ngritën flamurin rus në qytetin lindor të Bakhmutit, pas një beteje të gjatë dhe të përgjakshme.
Ai e ktheu atë moment triumfi në një mundësi, vetëm disa ditë më vonë, për t’u ankuar për dështimet ruse në Ukrainë.
Një vështrim rolit të Prigozhinit 61-vjeçar dhe Wagnerit në luftë:
Çfarë tha Prigozhini?
Duke përdorur një gjuhë të prerë dhe të ashpër në një intervistë pothuajse 80-minutëshe të martën me një strateg politik pro-Kremlinit, Prigozhini tha se “disi asgjë nuk po funksionon për ne” në Ukrainë.
Ai u kthye në një linjë të Kremlinit në fillim të luftës në shkurt të 2022-s. Në fillim të luftës presidenti Vladimir Putin u përpoq të justifikonte pushtimin duke thënë në mënyrë të rreme se ishte një fushatë kundër “nazistëve”, edhe pse Ukraina ka një president hebre i cili humbi të afërmit në Holokaust dhe drejton një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike të mbështetur nga Perëndimi.
“Ne erdhëm në mënyrë të vrazhdë (në Ukrainë), ecëm me çizme në të gjithë Ukrainën në kërkim të nazistëve. Ndërsa kërkonim nazistët, ne u përplasëm me këdo që mundëm”, tha Prigozhini, duke përmendur tërheqjet nga zonat përreth Kievit dhe qytetit jugor të Khersonit.
Rusia nuk arriti ta “çmilitarizonte” Ukrainën, një nga qëllimet e deklaruara nga Putini në ditën e parë të pushtimit, por në vend të kësaj e ktheu ushtrinë e Kievit në “një nga më të fortat” në botë me pajisje dhe trajnime më cilësore.
Duke komentuar Bakhmutin, Prigozhini tha se ai humbi rreth 20 mijë burra nga ushtria e tij private.
Cili është historiku i Prigozhinit?
Prigozhini u akuzua për grabitje dhe sulm në vitin 1981 dhe u dënua me 12 vjet burgim. Pas lirimit të tij ai hapi një biznes restoranti në Shën Peterburg në vitet 1990. Këtu njohu Putinin, në atë kohë nënkryetar i qytetit.
Prigozhini e përdori atë lidhje për të zhvilluar një biznes hotelerie dhe fitoi kontrata fitimprurëse të Qeverisë ruse që i dhanë pseudonimin “Kuzhinieri i Putinit”. Më vonë ai u zgjerua në fusha të tjera, duke përfshirë median dhe një kompani famëkeqe në internet që çoi në padinë e tij në SHBA për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të 2016-s.
Në janar Prigozhini pranoi themelimin, udhëheqjen dhe financimin e kompanisë në hije “Wagner”.
Ku ka operuar “Wagneri”?
“Wagneri” u pa për herë të parë në aksion në Ukrainën lindore menjëherë pasi një konflikt separatist shpërtheu atje në prill të 2014-s, në javët pas aneksimit nga Rusia të Gadishullit të Krimesë të Ukrainës.
Ndërsa mbështeti kryengritjen separatiste në Donbas, qendra industriale lindore e Ukrainës, Rusia mohoi dërgimin e armëve dhe trupave të saj atje, pavarësisht provave të shumta për të kundërtën. Angazhimi i kontraktorëve privatë në luftime i lejoi Moskës të ruante një shkallë mohimi.
Kompania e Prigozhinit u quajt “Wagner” sipas nofkës së komandantit të saj të parë, Dmitry Utkin, një nënkoloneli në pension i forcave speciale të ushtrisë ruse. Shumë shpejt krijoi një reputacion për brutalitet dhe pamëshirshmëri.
Personeli i “Wagnerit” u dislokua gjithashtu në Siri, ku Rusia mbështeti qeverinë e presidentit Bashar Assad, në një luftë civile. Në Libi ata luftuan përkrah forcave të komandantit Khalifa Hifter. Grupi ka vepruar gjithashtu në Republikën e Afrikës Qendrore dhe në Mali.
Prigozhini thuhet se ka përdorur vendosjen e “Wagnerit” në Siri dhe në vendet afrikane për të siguruar kontrata fitimprurëse të minierave. Nënsekretarja e Shtetit e SHBA-së, Victoria Nuland, tha në janar se kompania po përdorte qasjen e saj në ar dhe në burime të tjera në Afrikë për të financuar operacionet në Ukrainë.
Disa media ruse pretenduan se Wagneri ishte i përfshirë në vrasjet e vitit 2018 të tre gazetarëve rusë në Republikën e Afrikës Qendrore, të cilët po hetonin aktivitetet e grupit. Vrasjet mbetën të pazgjidhura.
Cili është reputacioni i “Wagnerit”?
Vendet perëndimore dhe ekspertët e OKB-së kanë akuzuar mercenarët e “Wagnerit” për shkelje të të drejtave të njeriut në të gjithë Afrikën, duke përfshirë Republikën e Afrikës Qendrore, Libinë dhe Malin.
Në vitin 2021, Bashkimi Evropian akuzoi grupin për “shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, duke përfshirë torturën dhe ekzekutimet dhe vrasjet jashtëgjyqësore, të përmbledhura ose arbitrare” dhe për kryerjen e “aktiviteteve destabilizuese” në Republikën e Afrikës Qendrore, Libi, Siri dhe Ukrainë.
Një video në internet e vitit 2017 tregoi një grup njerëzish të armatosur, siç thuhet kontraktorë “Wagner”, duke torturuar një sirian dhe duke e rrahur për vdekje me një çekiç përpara se ta gjymtonin dhe digjnin trupin e tij. Autoritetet ruse injoruan kërkesat e mediave dhe aktivistëve të të drejtave për të hetuar.
Në vitin 2022, një video tjetër tregoi një ish-kontraktor të “Wagnerit” të rrahur për vdekje me një çekiç pasi ai dyshohet se iku në anën ukrainase dhe u riatdhesua. Pavarësisht zemërimit publik dhe kërkesave për një hetim, Kremlini mbylli njërin sy.
Cili është roli i “Wagnerit” në Ukrainë?
“Wagneri” ka marrë një rol gjithnjë e më të dukshëm në luftë pasi trupat e rregullta ruse kanë pësuar dëmtime të rënda dhe kanë humbur territorin në beteja poshtëruese.
Prigozhini vizitoi burgjet ruse për të rekrutuar luftëtarë, duke premtuar falje nëse i mbijetonin një turneu gjysmëvjeçar të detyrës së vijës së parë me “Wagnerin”.
Në intervistën e kësaj jave ai tha se kishte rekrutuar 50 mijë të dënuar, rreth 10 mijë prej të cilëve u vranë në Bakhmut; një numër i ngjashëm i luftëtarëve të tij kanë vdekur atje.
Ai tha se kishte 50 mijë burra në dispozicion të tij “në kohët më të mira”, me rreth 35 mijë në vijat e frontit në çdo kohë. Ai nuk tha nëse këto shifra përfshijnë të dënuar.
Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar se “Wagneri” kishte rreth 50 mijë pjesëtarë personeli që luftonin në Ukrainë, duke përfshirë 10 mijë kontraktorë dhe 40 mijë të dënuar. Një zyrtar amerikan thotë se gati gjysma e 20 mijë forcave ruse të vrara në Ukrainë që nga dhjetori kanë qenë trupat e “Wagnerit” në Bakhmut.
SHBA-ja vlerëson se “Wagneri” po shpenzon rreth 100 milionë dollarë në muaj në luftë. Në dhjetor, Washingtoni akuzoi Korenë e Veriut për furnizimin me armë, përfshirë raketa, për kompaninë ruse në kundërshtim me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Si “Wagneri” ashtu edhe Koreja e Veriut i mohuan raportet.
Si e ka kritikuar Prigozhini Ushtrinë e Rusisë?
Nëse akuza e SHBA-së është e vërtetë, shtrirja e “Wagnerit” për armët e Koresë së Veriut mund të pasqyrojë mosmarrëveshjen e tij të gjatë me udhëheqjen ushtarake ruse, e cila daton që nga krijimi i kompanisë.
Prigozhini pretendoi merita të plota në janar për pushtimin e qytetit të minierave të kripës, Soledar, në rajonin Donetsk dhe akuzoi Ministrinë ruse të Mbrojtjes se po përpiqej të vidhte lavdinë e “Wagnerit”. Ai është ankuar vazhdimisht se ushtria ruse nuk arriti ta furnizonte “Wagnerin” me municion të mjaftueshëm për të kapur Bakhmutin dhe kërcënoi se do të tërhiqte njerëzit e tij.
Trupat e supozuar se ishin kontraktorë të “Wagnerit” në Ukrainë xhiruan një video në të cilën ata mallkonin dhe akuzonin për dështim në sigurimin e municioneve, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë ruse, gjeneralin Valery Gerasimov.
Prigozhini ka veçuar gjithashtu ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, për kritikat e ashpra, duke akuzuar udhëheqësit ushtarakë për paaftësi. Ankesat e tij të shpeshta janë të paprecedentë për sistemin politik të kontrolluar fort të Rusisë, në të cilin vetëm Putini mund të bënte një kritikë të tillë.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha të mërkurën se deklaratat kritike të Prigozhinit për luftën “mund të jenë një lloj mënyre morbide e tij … duke pretenduar merita për çdo gjë që ata kanë mundur të arrijnë në Bakhmut, por gjithashtu duke u përpjekur të turpërojnë publikisht Ministrinë e Mbrojtjes se kostoja u përballua me gjak dhe thesar nga ‘Wagneri’, dhe jo nga ushtria ruse’.
Dikur një figurë në hije, Prigozhini ka ngritur gjithnjë e më shumë profilin e tij publik, duke u mburrur pothuajse çdo ditë për fitoret e supozuara të “Wagnerit”, duke u tallur në mënyrë sardonike me armiqtë e tij dhe duke u ankuar për hierarkinë ushtarake.
I pyetur së fundmi në lidhje me një krahasim mediatik të tij me Grigory Rasputin, një mistik që pati ndikim fatal mbi carin e fundit të Rusisë duke pretenduar se kishte fuqinë për të kuruar hemofilinë e djalit të tij, Prigozhini tha: “Unë nuk e ndal gjakun, por derdh gjakun e armiqve të atdheut tonë”.