Revista për fëmijë “Ylberi plus”, edhe sivjet vazhdon traditën me organizmin e Takimit poetik të shkrimtarëve për fëmijë dhe të rinj, i cili do të mbahen me 30 dhe 31 maj në Tetovë. Për këtë shkak, në një publikim në rrjetet sociale, redaktori i Ylber Plusit, shkrimtari për fëmijë, Adem Abdullahu, u apelon krijuesve që poezitë e tyre t’i dërgojnë në e-mailin ylberi_plus@yahoo.com më së voni deri me 28 maj 2023. Përzgjedhja e poezive më të mira do të bëhet nga juria profesionale.
Manifestimi Takimi poetik i shkrimtarëve për fëmijë dhe të rinj, edicionin e tij të parë e filloi në vitin 2015, duke mbledhur krijues dhe studiues të letërsisë për fëmijë nga të gjitha trevat, në Tetovë.
“Tradicionalisht ky manifestim është organizuar në qytetin e Tetovës dhe nga viti në vit programi artistik pasurohet me më shumë krijues të trevave shqipfolëse dhe të vendit tonë. Kjo ngjarje në thelb e ka letërsinë për fëmijë dhe promovimin e krijuesve të rinj por natyrisht edhe botimet e reja dhe veprimtarinë e shkrimtarëve dhe poetëve që tashmë e kanë dëshmuar veten në artin e penës, duke i sjellë sa më pranë lexuesve dhe publikut”, deklaroi për portalin politico.mk organizatori kryesor, Adem Abdullahu.
Në orën poetike zakonisht bëhet shpallja e poezive fituese të 3 çmimeve të para dhe të çmimit special, që ndahet nga juria profesionale për të gjithë ata të përzgjedhur që konkurrojnë gjatë këtyre ditëve në konkursin e shpallur.