Qëndrimi i opozitares VMRO-DPMNE dhe Levicës për ndryshimet kushtetuese, që janë kusht për rrugëtimin pa pengesa të vendit drejt Bashkimit Evropian (BE), e kthejnë vendin në regres dhe kohë të kaluara, vlerëson analisti politik Zudi Xhelili, duke folur për përpjekjet e shumicës parlamentare për të siguruar votat e nevojshme në Parlament që të tejkalohet edhe kjo pengesë në rrugëtimin e vendit drejt Evropës.
“Është evidente se këto dy parti sillen pa përgjegjësi në momente shumë me rëndësi për vendin. Levica si parti me koncept anti NATO dhe anti BE, është një parti minore që gjithmonë do të merret me gjëra të pa realizueshme. Ëndrra e tyre për prezencën e një Rusie apo Kine në Ballkan, në Europë janë dëshira romanike komuniste. Problemi është te VMRO- DPMNE që me një anë deklarohet pro euro-integrimeve, ndërsa në anën tjetër të tërhequr vëmendje dhe përfitime si parti politike nuk dihet sa mund të shkojnë larg. Por me plot bindje e them; nëse ato i tejkalojnë kufijtë e kërkesave të tyre të palogjikshme që eventualisht do ta ngadalësojnë procesin e rrugëtimit të vendit për në BE do të jenë humbëset më të mëdha”, deklaroi Xhelili për Indeks.mk
Ai thotë se për çdo veprim të gabuar ka pasoja, ndërsa për interesa shtetërore gjithmonë tejkalohen interesat partiake, shpresoj se në një moment do të ndodhë e njëjta!
“Në çdo aspekt, humbës do të jenë ata që nuk pajtohen me realitetin e ri! VMRO dhe kushdo tjetër duhet të kuptojnë se, Bashkimi Evropian është alternativë e vetme”, nënvizoi ai.
Në anën tjetër, nga partia më e madhe në pushtet Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) thonë se lideri i opozitares VMRO-DPMNE nuk ka ide, e as propozim dhe zgjidhje, por vepron si politikan anti-NATO dhe anti-BE.
“Në mënyrë hipokrite, Mickoski deklarativisht avokon për anëtarësimin e shtetit në BE, ndërsa në praktikë VMRO-DPMNE nuk ka mbështetur asnjë vendim të vetëm për integrime evropiane dhe po bën gjithçka për të rrezikuar të ardhmen evropiane të Evropës. Mickoski organizoi protesta të dhunshme kundër propozimit evropian, përhapi histeri për gjoja bullgarizim dhe asimilim. VMRO-DPMNE përhap gënjeshtra se gjuha maqedonase do të jetë dialekt bullgar dhe nuk votuan për ratifikimin e marrëveshjes FRONTEX, si marrëveshje e parë në të cilën gjuha jonë qëndron së bashku me të gjitha 24 gjuhët e BE-së të nënshkruar nga të gjithë anëtarët e BE-së dhe Maqedonisë së Veriut. Mickoski është peng i retorikës populiste të së majtës dhe Dimitar Apasiev, me të cilët garon në bllokada dhe shkatërrime për të penguar të ardhmen evropiane të shtetit. Koalicioni i VMRO-DPMNE-së dhe i Majtës është një koalicion për t’u kthyer prapa. Qëllimi i tyre i vetëm është të pengojnë rrugën evropiane të vendit”, thonë nga LSDM.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) për Indeks.mk thonë se opozita deklaratavisht mbështet integrimin europian të Maqedonisë së veriut, dhe i ftojnë që këtë përcaktim të tyre programor ta realizojmë bashkërisht pa kalkulime partiake zgjedhore.
“BDI mbështet ndryshimet kushtetuese dhe vlerëson se ky proces e përforcon shtetin dhe e siguron procesin tonë integrues, por njëkohësisht edhe mbyll padrejtësitë shekullore duke mundësuar zero çështje të hapura me fqinjtë”, thonë nga BDI. (Indeks.mk)