Në Shkup, kryetarët e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë mbajtur një takim të nivelit të lartë për të diskutuar mbi Planin për rritje të Ballkanit Perëndimor, një iniciativë e Komisionit Evropian që synon të ofrojë mbështetje financiare dhe teknike për reformat dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.
Plani, i cili u miratua në nëntor të vitit të kaluar, parashikon një fond prej gjashtë miliardë euro për periudhën 2024-2027, të cilat do të shpërndahen në formë të granteve dhe huave me kushte të favorshme për vendet e Ballkanit Perëndimor. Qëllimi i këtij plani është të nxisë rritjen ekonomike, të përmirësojë konkurrencën dhe lidhjen rajonale, dhe të përshpejtojë konvergjencën socioekonomike me Bashkimin Evropian.
Në fjalimin e tij, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i cili ishte edhe nikoqir i takimit, e cilësoi Planin si një lehtësues që hap dyert për tregun e përbashkët evropian dhe qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve. Ai theksoi se Plani inkurajon miratimin e rregulloreve dhe standardeve evropiane, duke promovuar integrimin si në rajon ashtu edhe në BE.
“Plani është një urë që lidh aspiratat me realitetin. Me të, ne do të përshpejtojmë procesin e anëtarësimit në BE, por edhe do të sjellim përfitime të shpejta për bizneset dhe qytetarët tanë. Ky instrument është një moment përparimi për ne, dhe ne jemi të angazhuar të zbatojmë reformat e nevojshme për të shfrytëzuar këtë mundësi”, tha Kovaçevski.
