Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian ka miratuar konkluzat për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Detyrimet e dala nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë do përfshihen në proceset evropiane të dy vendeve.
Nëpërmjet konkluzave, Bashkimi Evropian kërkon nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen në dialog në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme. Këshilli mirëpret gatishmërinë e Kosovës dhe Serbisë për të pranuar draft-statutin e paraqitur palëve, duke kuptuar se duhet të punohet më tej mbi këtë bazë.
Hapësirë e veçantë në konkluza i kushtohet situatës së sigurisë në veri. Në këtë rrafsh, Këshilli rithekson se nuk ka arsyetim për dhunën dhe dënon fuqishëm dhunën e 29 majit si dhe sulmin e 24 shtatorit në Banjskë. Nga Kosova dhe Serbia kërkohet që të bëjnë përpjekje të qëndrueshme për de-përshkallëzimin, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokuese që mund të çojnë në tensione dhe dhunë dhe të ndalojnë retorikën përçarëse.
Këshilli rikujton sërish se dështimi në de-përshkallëzim do të ketë pasoja. Gjithashtu konfirmohet gatishmëria e Bashkimit Evropian të vendosë masa shtesë ndaj Serbisë dhe Kosovës, nëse kjo është e nevojshme. Kosova dhe Serbia duhet të respektojnë dhe zbatojnë të gjitha detyrimet e marrëveshjes për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme. (politiko.makdomen.net)
