Në një intervistë për emisionin “Samo vistina”, analisti politik Albert Musliu foli për arsyet e propozimit të BDI-së që kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, të udhëheqë qeverinë teknike për 100 ditët e mbetura para zgjedhjeve.
Musliu tha se Xhaferi është një personalitet që gëzon respekt dhe besim tek votuesit e të dy komuniteteve kryesore në vend, shqiptarët dhe maqedonasit. Ai shtoi se ky propozim ka për qëllim të shmangë tensionet dhe konfliktet etnike që mund të lindin nga një qeveri e përbërë nga vetëm shqiptarë, siç ishte spekuluar në disa media.
“Fakti që Xhaferi është propozuar për kryeministër teknik është për shkak se ai paraqet një personalitet i cili më lehtë pranohet nga votuesit”, tha Musliu.
Musliu theksoi se BDI me këtë hap dëshiron të dërgojë një mesazh të qartë se ky shtet është i gjithë qytetarëve të tij, pa marrë parasysh origjinën, gjuhën apo besimin e tyre.
“BDI me këtë dëshiron të tregojë se ky shtet është për të gjithë qytetarët dhe këto tabu duhet të tejkalohen. Janë mesazhe politike që do të duhet të ndikojnë te të gjithë qytetarët”, tha Musliu.