Hetimet për gjetjen e një foshnje të pajetë në afërsi të Parkut të Qytetit të Prizrenit, më 25 nëntor, vazhdojnë të jenë të vakëta.
Nga Policia dhe Prokuroria Themelore në Prizren kanë thënë për gazetën Express, se ende nuk ka ndonjë të dyshuar për këtë ngjarje, e cila është kualifikuar si “vrasje e foshnjës së porsalindur”.
Foshnja e porsalindur u zbulua nga një qytetar, i cili njoftoi policinë. Trupi i saj u dërgua për obduksion me urdhër të prokurorit, por rezultatet e obduksionit nuk janë bërë publike.
Nga policia thanë se po punojnë në grumbullimin e informacioneve dhe po bashkëpunojnë me prokurorinë për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Nga Prokuroria Themelore në Prizren thanë se kanë autorizuar policinë për të ndërmarrë veprime hetimore dhe se do të informojnë opinionin për çdo zhvillim të ri.
“Prokuroria Themelore në Prizren, ka autorizuar policinë për grumbullimin e informacioneve dhe për ndërmarrjen e veprimeve hetimore. Prokuroria do t’ju mbajë të informuar lidhur me rastin”, thanë në njoftim.
Nuk dihet ende se kush është nëna e foshnjës dhe se çfarë ka ndodhur me të. Ashtu siç nuk dihet as se kush e la foshnjën të vdekur në afërsi të Parkut të Qytetit të Prizrenit. Ky rast ka shkaktuar tronditje dhe revoltë në opinionin publik, i cili pret që autoritetet të zbulojnë autorët e kësaj vrasjeje. (politiko.makdomen.net)