Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg sot do të udhëtojë për në Sarajevë, si etapë e parë e turit të tij në katër vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të të cilit të martën pasdite do të mbërrijë në Shkup, ku përveç takimeve me përfaqësuesit më të lartë të autoriteteve të vendit, do të takohet edhe me liderët e vendeve anëtare të Aleancës nga rajoni, informon korrespondenti i MIA-s nga Brukseli.
Siç bëri të ditur NATO, turin përgjatë rajonit Stoltenbergu do ta fillojë me darkë pune me anëtarët e Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, ndërsa nesër do të ketë takime me përfaqësuesin e lartë të bashkësisë ndërkombëtare për BeH, Kristian Shmit dhe me kryesuesen me Këshillin ministrave të Bosnjës e Hercegovinës, Borjana Krishto. Pas këtyre bisedimeve, Stoltenberg në selinë e NATO-s në Sarajevë do të ketë takime edhe me liderët ushtarakë dhe me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në BeH.
Nga Sarajeva, njeriu i parë i Aleancës nesër pasdite do të udhëtojë për në Prishtinë ku do të ketë takime me presidenten dhe kryeministrin e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti.
Ai pastaj do t’i vizitojë edhe Komandën e forcave të NATO-s në Kosovë, ku do të takohet me komandantin e KFOR-it, gjeneral major Ozkan Ulutash dhe me drejtorin e Ekipit Këshillimor Ndërlidhës i Aleancës, gjeneralin e brigadës Kristian Ludevig fon Hamershtajn, ndërsa do të ketë edhe fjalim para ushtarëve të angazhuar në mision.
Të martën paradite, Stolteberg do të qëndrojë për vizitë në Beograd në bisedime me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe me kryeministren Ana Bërnabiq, ndërsa do të takohet edhe me shkencëtarë serbë të cilët do t’ia prezantojnë teknologjinë të cilën e kanë zhvilluar në kontekst të projekteve shkencore të NATO-s për paqe dhe siguri.
Pasdite, sekretari i përgjithshëm i NATO-s nga Beogradi do të udhëtojë për në Shkup, ku do të realizojë takime me shefin e shtetit, Stevo Pendarovski, kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, ndërsa do të ketë fjalim edhe para deputetëve në Kuvend.
Të mërkurën paradite është paraparë që Kovaçevski dhe Stolteberg në Shkup të takohen me liderët e vendeve anëtare të NATO-s nga rajoni – presidentin kroat Zoran Millanoviq dhe kryeministrat e Shqipërisë, Edi Rama, të Sllovenisë, Robert Golob dhe të Malit të Zi, Millojko Spajiq.
