Shqipëria është një nga 30 destinacionet më emocionuese për të vizituar në vitin 2024, sipas revistës britanike “National Geographic Traveller”. Kjo revistë ka botuar një listë të vendeve që ofrojnë aventura të jashtëzakonshme, kulturë të pasur dhe natyrë të bukur.
Një nga pikat kryesore të Shqipërisë janë Alpet Shqiptare, një zonë malore e egër dhe e paprekur, ku udhëtarët mund të gjejnë sfida alpinistike, peizazhe mahnitëse dhe tradita lokale. Revista ka sugjeruar një turne tetëditor nëpër Alpet Shqiptare, që përfshin vizita në fshatra si Thethi, ku mund të shihet edhe Kulla e Ngujimit, një monument historik.
Shqipëria është gjithashtu mjaft e aksesueshme për udhëtarët britanikë, pasi kompanitë ajrore “Ryanair” dhe “Wizz Air” kanë nisur fluturime direkte nga disa qytete të Britanisë së Madhe drejt Tiranës. Kjo do të thotë se udhëtarët mund të arrijnë në Shqipëri me një fluturim prej rreth dy orash.
Revista “National Geographic Traveler” e ka vlerësuar Shqipërinë për brigjet e saj në detet Adriatik dhe Jon, historinë e saj osmane dhe komuniste dhe turizmin në zhvillim. Revista thekson se Shqipëria është një yll në rritje në Evropë dhe një destinacion ideal për ata që kërkojnë diçka ndryshe nga vendet më tradicionale evropiane. (politiko.makdomen.net)
