Një objekt i ri për shërbime forenzike, i ndërtuar me mbështetjen e Bashkimit Europian, u hap sot në Shkup. Ky objekt, i cili është më i madhi i këtij lloji në rajon, do të rrisë kapacitetin e Departamentit për hulumtime tekniko – kriminalistike dhe ekspertiza në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, sot bashkë me kryeministrin Kovaçevski dhe ministrin Spasovski e zëvendës ministrin Bushi dhe zyrtarë të tjerë ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes. Grubi tha se ky objekt do të ofrojë laboratore bashkëkohore dhe hapësirë më të madhe për punonjësit e departamentit. Ai theksoi se procedurat operative të kryera nga ky departament janë një mekanizëm shumë i rëndësishëm për zbatimin e ligjit dhe sigurinë publike.
“Lëshuam në përdorim objektin më të madh në rajon për shërbime forenzike me përkrahje të Bashkimit Europian.
Nga sot Departamenti për hulumtime tekniko – krimininalistike dhe ekspertiza në kuadër të Byrosë për Siguri Publike do të ketë kapacitet të zmadhuar hapësinor dhe laboratore bashkëkohore për realizimin e procedurave të tyre operative që janë mekanizëm jashtëzakonisht i rëndësishëm në luftën kundër krimit dhe korrupsionit” tha Grubi. (politiko.makdomen.net)