Presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviç, ka deklaruar se Kosova meriton mbështetjen e plotë të vendeve evropiane dhe se Serbia duhet të përgjigjet për veprimet e saj provokuese në veri të Kosovës. Ai gjithashtu dyshoi për ndikimin e Rusisë në konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk e di nëse Rusia ka ndonjë lidhje me sulmin në Banjskë, por me ngjarjet në Kosovë. sigurisht që korrespondojnë me të. Më habit më shumë Serbia, e cila duket se nuk është e vetëdijshme se ka humbur gjithçka që mund të humbiste në drejtim të zhvillimit të një kombi. Një politikë më e shëndetshme, më racionale do të ishte më e dobishme për ta. Serbia sigurisht që nuk kontribuon në mënyrë konstruktive në marrëdhëniet me vendet fqinje”, tha Milanoviç.
Deklarata e presidentit Milanoviç erdhi pas takimit me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadria, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Republikën e Kroacisë. Presidenti i Kroacisë tha se ka bërë thirrje për njohjen e Kosovës në OKB dhe se po punon për avancimin e integrimeve evropiane të vendit.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani falenderoi presidentin e Kroacisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe theksoi se Kosova është një demokraci e konsoliduar që do të ecë përpara. Ajo po ashtu tha se Kosova e sheh Kroacinë si aleate strategjike në rajon dhe në botë.