Ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit Jim O’Brien në një intervistë për Zërin e Amerikës ka drejtuar fjalë të ashpëra në adresë të Qeverisë së Kosovës rreth vendimit për dinarin. Diplomati amerikan ka kërkuar tërheqjen e vendimit derisa ka shfaqur pakënaqësi edhe me tranzicionin tre mujor të BQK’së që u shpall dje.
“Njerëzit duhet ta dinë se si do t’i paguajnë faturat. Kur lexoj deklaratën e Bankës Qendrore, aty nuk thotë se do ta lejohet përdorimi i dinarit. Thotë se do të ofrohet një alternativë. Kjo duhej bërë para se të zbatohej vendimi në bashkëpunim me komunitetet e prekura dhe me fqinjët që preken nga vendimi dhe sinqerisht me Bashkimin Evropian dhe ne. Pra jo, duhet ta ndërpresin menjëherë këtë dhe pastaj të punojmë drejt zgjidhjes së problemit konkret, që ata duan të zgjidhin, ashtu siç veprojnë shtetet moderne evropiane”, ka theksuar O’Brien.
