Zhvillime të reja në Aleancën për Shqiptarët. Njoftohet se Ziadin Sela ka mbledhur mbrëmë kryetarët e degëve, por në takim nuk ka qenë i pranishëm lideri aktual i ASH-së, Arben Taravari.
Aksioni i marrë nga Sela për t’i takuar kryetarët e degëve, vjen pas takimit që lideri i ASh-së pati në Prishtinë. Në këtë takim mes Taravarit dhe liderëve opozitarë të Lidhjes Europiane për Ndryshim tek kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thuhet se janë dakorduar për kandidat të përbashkët shqiptar për president të Maqedonisë së Veriut.
Madje dje u konfirmuar, se liderët e LEN-it kanë propozuar që ai të jetë vetë Arben Taravari. Kjo javë është vendimtare në ASH, pasi duhet të sillet vendimi që nëse shkojnë të vetëm në zgjedhjet e majit, në koalicion me BDI-në apo me opozitën. Kujtojmë që figura të larta partiake kanë njoftuar se kryesia qendrore e ASH-së ka sjell vendim që të shkojnë të vetëm, por vendimi final duhet të merret nga Kuvendi, të cilin e udhëheq Sela.
