Analisti politik Xhelal Neziri ka kritikuar ndërtimin e objekteve religjioze në Maqedoninë e Veriut, duke thënë se ato nuk janë në përputhje me nevojat e besimtarëve, por janë pjesë e një strategjie politike për të markuar territorin.
Vendosjen e kryqit në Kodrën e Diellit, ai e ka quajtur ” jo të nevojshëm” por si objekt për të arritur më shumë “qëllime politike sesa religjioze”.
Neziri ka folur për situatën politike dhe sociale në vend. Ai ka theksuar se vendi ynë ka një numër të lartë të objekteve të kultit.
“Vendi jonë është rekorder sa u përket objekteve të kultit. Kam përshtypjen se më shumë ka objekte sesa besimtarë. Vërtetë paradoks tipik ballkanik, ku këto objekte nuk ndërtohen për lutje por për qëllime politike”, tha Neziri.
Gjithashtu Neziri ka kujtuar se ky fenomen nuk është i ri, por ka filluar që në vitin 2001, kur u ndërtua kryqi i madh në Vodno të Shkupit.
“Objektet religjioze duhet ndërtuar në përputhje me nevojat e besimtarëve, e jo për qëllime politike. Sa i përket kryqit në Kodrën e Diellit mendoj se është jo i nevojshëm për besimtarët e krishterë. Njëjtë si kryqi i ndërtuar në Vodno të Shkupit në vitin 2001, ky objekt ka më shumë qëllime politike sesa religjioze. Fatkeqësisht, ka kohë në Maqedoninë e Veriut që objektet e fesë keqpërdoren për të markuar një territor apo për të përhapur një ndikim të caktuar politik, i cili shpesh është dashakeq. Institucionet e shtetit e kanë përgjegjësinë që të ruajnë karakterin sekullar të vendit kurse qytetarët duhet të reagojnë e t’ua bëjnë me dije institucioneve religjioze se Kodra e Diellit është qendër turistike, e jo ndonjë vend i shenjtë”, tha Neziri.