Sheshi “Skënderbeu” në Shkup, është vendi kryesor ku shqiptarët mbajnë manifestimet kulturore, artistike, por edhe politike dhe civile. Ndonëse u promovua si projekt krenarie për shkak të emrit madhështor që mba, i njejti shesh sot është i mbuluar nga bërlloku, pa ashensor funksional dhe shkallë elektrike.
Për shkak të temperaturave të ulëta, Komuna e Çairit ka vendosur që t’i largojë tendat e dëmtuara gjysmësferike nga Sheshi “Skënderbeu”, pavarësisht se plani ishte që në muajin maj të zëvendësohen me të reja, njofton Portalb.mk.
Deri në pranverë, sheshi do të mbetet pa tendat e vetme ku qytetarët kanë pasur mundësi të strehohen nga shiu ose vapa.
Kurdo që të vizitohen hapësirat e këtij sheshi, gjithmonë qytetetarët do të vërejnë të njejtin imazh! Mbeturina dhe shumë papastërti, fakte që flasin për neglizhencën totale të Komunës së Çairit për mirëmbajtjen e këtij sheshi.
Në gjendje kaotike mbetet ashensori i cili nuk punon, por është i mbushur me mbeturina, ashtu sikur edhe shkallët elektrike të cilat nuk funksionojnë.
Monumentit “abc”, i cili është vendosur në vitin 2018-të në Ditën e Alfabetit, vazhdon t’i mungojë shkronja “c”, mirëpo nga Komuna e Çairit nuk kanë shprehur interesim të përgjigjen për këto çështje.
Në pjesën e poshtme të sheshit gjendja është po aq katastrofike – mure të shkarravitura dhe mbeturina të hedhura gjithandej, ndërkaq disa prej mozaikëve në muret e sheshit mund të shihen se kanë filluar të dëmtohen.