Bashkëpunimi parlamentar mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës me theks të veçantë bashkëpunimi në fushën e eurointegrimeve, ishte tema kryesore mes delegacionit të Komisionit për Politikë të Jashtme të Kosovës dhe komisionit amë në Kuvendin tonë. Është konstatuar mbështetja që vendet duhet t’ia japin njëri – tjetrit në proceset eurointegruese, gjë të cilën e pret edhe Kosova, e cila synon anëtarësimin në organizatat pan evropiane dhe ato euroatlantike.
“Besoj që është shumë e rëndësishme që në veçanti shtetet e Ballkanit Perëndimor, shtetet tona fqinje të kenë një bashkëpunim të mirëfilltë, sepse kur ne përkrahim njëra-tjetrën, rruga jonë drejt BE-së do të jetë më e shpejtë, më e sigurt dhe sigurisht do t’i bashkohemi kësaj familjeje evropiane si shtete të Ballkanit Perëndimor bashkë. Kemi shumë shembuj të mirë, të cilat na i jep RMV-ja e që mund të jenë model i mirë për integrimin tonë si shtet në të ardhmen.”, – deklaroi kryesuesja e delegacionit të Kuvendit të Kosovës, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, përcjell Politiko.makdomen.net
