Dyzet e gjashtë policë të rinj serbë e nisën punën në veri të Kosovës në fund të korrikut, por shtatë prej tyre dhanë dorëheqje pasi u përballën menjëherë me kërcënime online në rrjetet sociale, të cilat zyrtarët kosovarë dhe bashkësia ndërkombëtare i kanë dënuar ashpër.
Njohësit e sigurisë, Avni Islami dhe Nuredin Ibishi thonë se këto dorëheqje janë nga presioni i madh që Beogradi po ia bën komunitetit serbë në Kosovë.
Islami në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Lista serbe dhe shteti i Serbisë po e shantazhon komunitetin serbë në veri.
E këto shantazhe sipas tij, bëri që disa policë të rinj të japin dorëheqje.
“Marrja e përgjegjësisë me uniformë të Policisë së Kosovës, për vet komunitetin serb është një lajm i mirë. Duke marrë parasysh shantazhet, kërcënimet që iu kanë bërë nga Lista serbe dhe shteti i Serbisë, një pjes e tyre u detyruan të japin dorëheqje. Ky fakt i pamohueshëm dhe i pakontestueshëm tregon që vet komuniteti serbë në veriun e Kosovës është në presion të madh nga Beogradi”, ka thënë Islami.
Siç tha Islami, Serbia ka synim destabilizimin e veriut të Kosovës.
“Tash po shihet, pas dorëheqjeve të komunitetit serbë nga të gjitha institucionet e Qeverisë së Kosovës dhe sidomos nga Policia e Kosovës kanë qenë të detyruar për shkak të frikës dhe pasigurisë, madje dhe kërcënimeve me jetë të atyre që ishin në emblemën dhe uniformën e Policisë së Kosovës. Kjo tregon se ajo që do ta mbajnë të tensionuar situatën në veriun e Kosovës është Serbia, së bashku me grupet kriminale dhe Listën serbe, të cilët nuk morën pjesë në zgjedhjet e fundit”, u shpreh Islami.
Ai shtoi se ky është një sinjal se presioni që bashkësia ndërkombëtare i bëri institucioneve të Republikës së Kosovës, ishte qasje e gabuar.
Edhe Nuredin Ibishi, në një prononcim për Telegrafin tha se bazuar në deklaratat e tyre, Serbia dhe Lista serbe do të vazhdojnë të sjellin destruksion në sistem të sigurisë në vend.
Ai vlerësoi se situata aktuale është e qetë dhe stabile dhe se Policia e Kosovës po bën punë të shkëlqyer në terren duke i ndërmarr të gjitha veprimet.
“Situata në veri është e qetë dhe stabile dhe mendoj që sistemi i sigurisë po funksionon me kapacitete të plota duke pasur parasysh dhe rendin dhe qetësinë publike…Mendoj që Policia e Kosovës po bën punë të shkëlqyer në terren duke i ndërmarr të gjitha veprimet parandaluese në veri. Deklaratat e fundit të Qeverisë serbe dhe të Listës serbe do të vazhdojnë të sjellin destruksion në sistem në kuptimin përkundër marrëveshjeve të Brukselit por edhe në marrëveshjet e arritura në mes të liderve të BE-së dhe ShBA-së. Mendoj që lidershipi i Kosovës po bën punë maksimale që e gjithë kjo situatë të jetë e qetë dhe stabile…”, vlerësoi ai.
Sipas tij, shqetësuese është ndërhyrja e vazhdueshme e Servisë në punët e brendshme të Kosovës.
Ai po ashtu theksoi se detyra e sistemit të sigurisë së Kosovës është që të ju ofrojë siguri personale në jetën e përditshme, por edhe në kryerje të detyrës.
“Kjo që të mos marrin kërcënime ashtu siç edhe po i marrin nga Shërbimet e Inteligjencës (BIA) dhe nga Lista serbe”, potencoi Ibishi.
Ai gjithashtu tha se: “Ne kemi kontroll të plotë në veri si asnjëherë më herët në kuptimin e kontrollit të qetësisë publike edhe në kufi, por edhe ndërprerje të kontrabandës me armë në veri. Mendoj që kemi kapacitete të mjaftueshme për ta bërë këtë detyrë.Ata (ekstemistët serbë) nëse janë të vetëdijshëm për pasojat e mundshme, atëherë do të ndalojnë së kërcënuari në veri…”.
Njohësi i sigurisë shtoi se lidershipi i Kosovës duhet të mendoj për veprime tjera politike.
“Që të inkurajoj popullsinë në veri që të inkuadrohen zyrtarë policorë të gjeneratave të reja, por njëkohësisht edhe kthimin në trajnime të zyrtarëve policorë të cilët nuk kanë qenë të involvuar në krime, kundërvajtje apo në çështje tjera”, ka thënë Ibishi.
Ndryshe, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) të mërkurën është shprehur “thellësisht” i brengosur me dorëheqjet e fundit të policëve të porsaemëruar serbë në veri të Kosovës si pasojë e presionit, dhe tha se është e papranueshme që “dikush, përfshirë edhe aktorët e lidhur me Serbinë, të ushtrojë presion politik ndaj individëve që duan t’i bashkohen” Policisë së Kosovës.
Edhe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi më 18 gusht se “tashmë ka informacione të konfirmuara se kërcënimet dhe shantazhet vijnë direkt nga Serbia”.
Beogradi zyrtar nuk i ka komentuar këto akuza.
Dyzet e gjashtë policë të rinj serbë e nisën punën në veri të Kosovës në fund të korrikut, por ata u përballën menjëherë kërcënime online në rrjetet sociale, të cilat zyrtarët kosovarë dhe bashkësia ndërkombëtare i kanë dënuar ashpër.
Rreth 550 policë serbë në veri – në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – patën dhënë dorëheqje kolektivisht nga Policia e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, si shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Pas dorëheqjeve, autoritetet në Kosovë patën shpallur konkurs për pranim të policëve të rinj, duke i punësuar 74 të tillë. Prej tyre, 46 është raportuar se kanë qenë nga komuniteti serb.
Integrimin e serbëve në Policinë e Kosovës e parasheh një marrëveshje e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 2013, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Dy vendet janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.