Nëse analizohet reagimi i KF Shkupit, është përplot ngarkesë emotive, ngapak edhe konfuz, si i shkruar për ngutë, por, ai jep një mesazh të qartë dhe shumë të forte sportiv, i rrallë në mesin tonë: nuk na duhen tifozë që na bëjnë dëm! Pikë!
Nga Daut DAUTI
1. E nisa këtë kolumnë me një hyrje tjetër, e cila ndoshta nuk kishte diçka të re pas disa ditësh jehonë publike, por, siç ndodh në gazetari, e reja e shkel të vjetrën. Sepse, ajo që më bëri përshtypje më shumë dhe që mendoj se ia vlen për të shkruar, është reagimi i “administratës”(nuk e di pse ashtu është nënshkruar) i FC Shkupit, me të cilën distancohen(çfarë distancomi se!) nga tifozët e vet!
Ky distancim nuk është i rastit, dhe vjen pas vendimit të UEFA-s me të cilin klubi shkupjan gjobitet me 42 mijë euro pas incidenteve që shkaktuan grupi i “shfercerave”(ose disa sish) në ndeshje me Levskin e Bullgarisë, sjelljen e të cilëve e kanë quajtur tradhti. Nuk përmenden në këtë reagim detaje konkrete çfarë kanë bërë tifozët, përveçse përmenden pasojat. “Ne si administratë klubi 4-5 vite sakrifikojmë familjen, kohën dhe buxhetin tonë për ta ngritur KF Shkupi një nivel më lartë. Për të valëvitur më mirë flamujt që përfaqëson ky klub. Sa shumë sakrifikojmë kohën, mundin, rezistimin e familjes sonë për këtë punë;të ashtuquajturit “tifozë”, që thonë se jemi tifozë, luajnë me të ardhmen e këtij klubi vetëm për të bërë shfaqjen e tyre”.
Klubi e locon problemin te grupe ose individë që “pretendojnë se janë mbështetës në petkun e tifozëve, vetëm përpiqen të dëmtojnë këtë klub”. “Për shkak të këtyre individëve humbin mijëra euro nga buxheti i klubit dhe pengohet ecuria e klubit…Këta persona, janë ata që tradhtojnë klubin nga brenda, ndërkaq për ngjarjet kërkojnë nga institucionet të hetojnë, kurse vetë klubi paralajmëron të ngre padi në prokurori dhe polici, për të hetuar këto çështje sepse nuk është gjë tjetër veçse tradhti, pabesi…Përmenden edhe dënimet e vitit të kaluar në para 60 mijë euro, por dhe pasojat tjera, siç është ndalesa për të mos luajtur në fushën e vet,që për pasojë ka pasur ngecjen në kampionat dhe humbjen e kupës dhe mos suksesi edhe në kupat evropiane. Prandaj, “Personat që tradhtojnë klubin dhe dëmtojnë klubin tonë nuk kanë mundësi të jenë përkrahës të KF Shkupi….Nëse duhet të luftojmë me ata që dëmtojnë klubin, le të urdhërojnë, do luftojmë…”
Goxha ashpër dhe guximshëm. Nga thekset e nxjerra nga reagimi më i gjatë, duket qartë se klubit i është mbushur më kupa, dhe përpiqet të ndajë tifozët e vërtetë që përkrahin klubin, nga ata që me veprimet e tyre, vetëm e turpërojnë dhe dëmtojnë, si materialisht, ashtu dhe moralisht.
Ky reagim, pavarësisht se mund të ketë shumëçka në prapavijë, është për t’u marrë si shembull edhe nga klubet tjera. Sepse, mungesa e guximit për t’u distancuar me kohë nga tifozeritë problematike, ne nuk kemi më ndeshje normale me tifozë të të dy klubeve. Në mungesë të një “kundërshtari/armiku” “të brendshëm”, tifozë të pandërgjegjshëm, ja, gjejnë momente kur s’duhet, që të përplasen me tifozë të skuadrave të jashtme, e UEFA nuk falë kur dikush theret me thikë.(Dorën në zemër, as këta të Levskit nuk ishin lule për t’u marrë erë).
Te ne është bërë klisheqë te të tjerët të shohim edhe mizën, e te ne as buallin! Me vite jemi mësuar me këtë klishe kur “komitët” e Vardarit i kemi trajtuar si tifozeri problematike(për shkak të brohoritjeve nacionaliste gjer te ato fashiste), por, nën hijen e tyre, kemi harruar t’i trajtojmë incidentet midis tifozerive shqiptare, të cilat poashtu kanë qenë në kufi të rrezikimit fizik. Pikërisht në Çair ka ndodhur therja e një futbollisti të një klubi shqiptar, kurse kushedi saherë janë rrahur “ballistët” me “shfercerat”. Një vit, në ndeshjen finale të Kupës, tifozët që përkrahnin Shkëndijën,e demoluan njërën tribinë të stadiumit. Klubi fajin disi e hodhi tutje, te LFM-ja si organizatore, kurse për tifozët tha se nuk janë të klubit! Të kujt ishin?!
Nëse analizohet reagimi i KF Shkupit, është përplot ngarkesë emotive, ngapak edhe konfuz, si i shkruar për ngutë, por, ai jep një mesazh të qartë dhe shumë të forte sportiv, i rrallë në mesin tonë: nuk na duhen tifozë që na bëjnë dëm! Pikë!
Sepse, nëse çdo klub do të distancohej nga tifozët e vet që shkaktojnë incidente, nëse me ta do të punohej në drejtim të edukimit dhe kultivimit të rivalitetit të shëndoshë sportiv, do të kishim më pak incidente, dhe për një kohë do të mund të kthehej atmosfera garuese edhe në tribina, ku edhe pse do të kishte ndonjë ofendim ndaj dikujt, kjo pak a shumë do të mbetej në suaza verbale e jo të shndërrohej në armiqësi me qërim fizik të hesapeve!
A na duhet garë sportive, ku nuk është një Vardar që ka bërë historinë, apo një Pelister, Pobedë, Teteks…Por, këto klube, asnjëherë nuk janë distancuar nga komitët, vojvodët apo “zorraxhinjtë” e tyre, të cilët shpesh kanë përfunduar me koka të çara a gishta të prerë. Një grup i papërgjegjshëm tifozësh, vetëm për shkak të një humbjeje diku, e kishin demoluar autobusin e klubit të tyre, pas të cilit incident, iku sponsori që e mbështeste dhe pasoi periudha përplot trauma. Se sa u kanë ndihmuar këtyre klubeve sjelljet e papërgjegjshme të tifozëve të tre, flet i tyre momental në ligat më të ulëta. Këtë gabim s’duhet ta bëjnë klubet shqiptare, ndaj “Shkupi”, pas përvojave të hidhura me individë të papërgjegjshëm që mendojnë se është patriotizëm të rrahish dikë, ka vendosur të heqë dorë nga “përkrahja” e tillë.
Nëse kjo porosi arrin te ato koka të nxehta, të cilat nuk do të lejohen të hyjnë në stadium për të bërë incidente, ose madje do të përballen edhe me përgjegjësi penale(shpesh klubet i kanë mbrojtur të tillët!), dalëngadalë do të izoloheshin dhe dëboheshin nga stadiumet tona.
Nëse kështu veprojnë të gjitha klubet, vërtet ka gjasa për ta kthyer atmosferën e munguar sportive në stadiumet e zbrazëta!
2. Në sport dhe në fushëbetejë, ekziston taktika e befasisë. Ta befasosh kundërshtarin(armikun). Ta sulmosh ku s’e pret, apo ta zësh në gjumë. Të bësh një veprim hutues pas të cilit s’di si të mbrohet…
Meqë përmenda sportin, taktika e befasisë është si t’i japësh gol kundërshtarit si Artim Shaqiri Dejvid Simanit, nga korneri dhe t’ia shkatërrosh karrierën!
Edhe në politikë, përskaj platformave ideologjike, çdo subjekt përpiqet të shesë sa më mirë idetë e veta përmes formave taktike. Ku të futen dorëheqjet e ministrave të BDI-së që u deponuan në arkivin e Qeverisë? Një interpretim është ai që dhanë nga VMRO-DPMNE-ja, të cilët janë aktorët e vënë si pjesë e rrëfimit, që BDI-ja luan lojëra. Tallje, hajgare, lojë e tejdukshme…,janë komente që mund të hasen pas ditës së martë edhe nga qarqe të tjera opozitare.
Po, mund të themi se është një lojë e BDI-së, por ajo lojë edhe të jetë e tejdukshme, është fare lehtë e testueshme. Sepse, nëse, si tha Zëvendëskryeministri i Parë, A.Grubi në TV Ora News, VMRO-ja ka pasur të vetmin kusht daljen e BDI-së dhe shqiptarëve nga qeveria, për t’i votuar ndryshimet e kushtetues, ja, ne dolëm, nuk e kemi problem ta bëjmë këtë për të mirën e vendit, që të mos lëshohet shansi i eurointegrimit, sepse,pale kur jepet një shans tjetër. Ju na akuzoni pse jemi në pushtet, e ne e flijojmë atë…
Por, e vërteta është se që në hapin e parë, në vend se VMRO-ja ta testojë BDI-në a e ka seriozisht, BDI-ja e vuri në sprovë VMRO-në, e cila menjëherë doli me retorikë të ndryshuar. Jo, tash dorëheqjet të jenë të parevokueshme dhe le të shkojmë në zgjedhje të parakohshme! E harruan kushtin që Mickovski e kishte biseduar me Kovaçevskin. E po, për të analizuar se kush kë vë në sprovë, kush bën lojëra e kush jo, mjafton të peshohen qëllimet: BDI-ja thotë se këtë flijesë e bën për interesat e shtetit,e VMRO-ja mbetet në qëllimin për zgjedhje të parakohshme. Nuk e përmend fare gatishmërinë për të votuar ndryshimet kushtetuese(vetë e di pse!), e akuzuar nga LSDM-ja se përherë ka ikur nga përgjegjësia,me çka heq dorë nga mundësia për ta testuar BDI-në dhe Ali Ahmetin a i flijojnë vërtet mandatet për eurointegrimet, apo jo. Çdo vlerësim i paanshëm, do të nxirrte përfundimin kush e ka “performancën”më të qëlluar, pavarësisht nëse është lojë apo përnjëmend.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)