Ëndrra e Limanit duket qartë, por a do të dojë Izet Mexhiti që Fatmir Limani t’i bëhet shef opozitar?
Kishte parë bretkosa kalin tek po i venin patkonj, dhe i thotë nallbanit që edhe asaj t’i venë!
Për një moment i ishte dukur vetja një at me shalë, që mund t’i venë patkonj! Ëndërr me sy çelë!
Kështu duket se i duket vetja edhe Fatmir Limanit, ndonëse i vetëdijshëm se në politikë s’është më shumë se një “bretkosë” që nuk i shkojnë patkonjtë!
Por, askush s’ia merr të drejtën të ëndërrojë! E ai ëndërron ta rrëzojë BDI-në, gjë të cilën s’kanë mundur ta bëjë asnjë parti për këto 20 vjet.
Limani në një intervistë për magazinin Fokus thotë se BDI-ja pas luftës së vitit 2001 bëri bujë që e përdori në të gjitha ciklet zgjedhore, por faktin se askush nuk mund ta rrëzonte nga pushteti e sheh të infiltrimet e BDI-së në nëndegët dhe degët e partive opozitare, prej nga paska marrë informacione për vendimet e tyre dhe përmes tyre ndikoi në vendimet e tyre, të cilat në momente të caktuara ishin në favor të BDI-së.
Anëtarët e infiltruar, sipas tij, arritën të radhiten në listat parlamentare të partive opozitare dhe që në momente kritike mbajtën ekuilibrat e BDI-së, për të mbijetuar në pushtet. Një fakt i tillë është edhe kalimi i deputetëve nga opozita në radhët e tyre.
Një shpjegim i simplifikuar i fenomenit!
Por, kjo ka qenë e kaluara, e Fatmir Limani, i cili është i njohur vetë për shëtitjet nga një subjekt në tjetrin(mos vallë edhe ai është i infiltruari i BDI-së në opozitë!?) ndërton strategjinë që me një pjesë të BDI-së, ta dëmtojë BDI-në! Kuptohet, është fjala për koketimin me “Grupin e zjarrit”. Mirëpo, gjërat qysh në start duken “mission imposible”, sepse duhet të tejkalohen egot e ambicieve të mëdha të akëcilit subjekt.
Grupi i Zjarrit përbëhet nga të pakënaqurit e BDI-së, të cilët kanë ambicie të tregojnë vetë se ata janë BDI dhe krijimi i relacioneve me një parti “minore” si Lëvizja Besa, mund të jetë çështje prestigji. Dhe pengesë serioze, normalisht.
“Mjafton të kemi Izet Mexhitin, Visar Ganiun, Bashkim Asanin dhe një përfaqësues të zonës së Tetovës së bashku në grup dhe të bashkohemi me ta, të fillojmë listat e përbashkëta dhe me këtë fitorja e të bashkuarve, Lëvizja BESA, Alternativa , është i garantuar dhe i vulosur”, kështu e mendon Fatmir Limani, i cili që në start vihet në pozitën e atij që ofron, të atij që është në një farë mënyre “faktori” rreth të cilit duhet të sillet straegjia opozitare!
Nuk e dimë si e mendojnë Izeti, Visari… pozitën e tyre në kuadër të një koalicioni me Besën ku shef është Fatmir Limani, i cili madje edhe e bën edhe seleksionimin e emrave nga Grupi i Zjarrit “që i mjaftojnë” për fitore opozitare?!
Nuk e besojmë se “të zjarrtit” do të duan të jenë inferiorë karshi tij.
Eh, Fatmir, nuk duken gjërat aq të thjeshta sa i mendon ti! Plus që në “Grupin e zjarrit” ende nuk i kanë pastruar dilemat çka duan, të bëhen parti a të vazhdojnë betejën si BDI, edhe pse tashmë hapësira manovruese pas zgjedhjeve të javës së kaluar, u është ngushtuar. Kjo e bën edhe më të pasigurt strategjinë e “liderit” të vetëshpallur të opozitës shqiptare, i cili kujton se ai mund të jetë boshti rreth të cilit sillet gjithçka, që sigurisht bie ndesh me ambiciet jo të vogla të atyre që ende mendojnë se përfaqësojnë BDI-në që e shan Limani! /Indeks.mk