Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila deklaroi se opozita me numrat aktual që i ka nuk ka mundësi që ta çojë vendin në zgjedhje të reja.
Kusari-Lila në emisionin “Këndi i Debatit”, theksoi se opozita aktualisht i ka 44 deputetë, teksa tha se për rrëzimin e Qeverisë do të duhej të ishin 61 vota të deputetëve.
“Me numrat aktualë nuk ka mundësi opozita ta çojë vendin në zgjedhje edhe nëse e kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, apo mocionin e mosbesimit të Qeverisë për të cilin duhen 61 vota nuk e kanë një mundësi të tillë bashkë me 2 deputetë të pavarur. Opozita sot i ka 44 vota për tu votuar suksesshëm një mocion i tillë duhen 61, votat e Listes Serbe nuk e di sa i llogarisin ata kontrollojnë 10 deputetë të vet dhe 2 të pavarur ,do të thotë janë 12 që do e sillte numrin në 56. Do të duheshin edhe 5 vota të tjera të cilat nuk e shoh se si mund t’i kenë”, tha ajo.
Ndryshe, Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj kishte kërkuar që të iniciohet mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së Kosovës, pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.
“Qëndrimi i Aleancës është që të iniciohet mocion i mosbesimit. Mocioni bazohet në rrezikimin e sovranitetit në veri dhe prishjen e marrëdhënieve me SHBA dhe BE, deri te sanksionet e SHBA ndaj Kosovës. Do të vazhdojmë diskutimet me subjektet politike”, kishte deklaruar Haradinaj.
Teksa kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se ideja e AAK-së për mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti është i destinuar për të qenë i pasuksesshëm.
Në anën tjetër edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës u shprehën kundër mocionit të iniciuar nga AAK-ja