Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili, ka kërkuar nga Qeveria që të tregojë pse Kosova nuk është pjesë e Programit të Evropës Digjitale në vlerë prej 7.5 miliard euro.
Sipas Xhelilit, Kosova e ka merituar të jetë pjesë e këtij programi më shumë se kushdo në këtë rajon, njofton Klankosova.tv.
“Le t’i tregoj Qeveria sot gjithë sektorit digjital të Kosovës, pse Kosova nuk është pjesë e Programit të Europës Digjitale në vlerë prej 7,5 miliard euro, ndërkaq Shqipëria, Serbia, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut po. Kosova s’ka shumë që u përzgjodh si TechHub i Ballkanit për shkak të kapaciteteve të jashtëzakonshme të rinisë tonë”, shkroi Xhelili.
“E para në rajon dhe e 11-ta në Evropë. E merituam më shumë se kushdo në rajon. Sa teori, praktika e politika shtesë izolacioniste na duhen për të kuptuar sa mbrapshtë e konceptojnë këta “zhvillimin” e vendit? Apo edhe kjo është veç “masë” e jo sanksion? Mëkat, turp, dështim e çka jo!”.
Ndryshe, Kosova nuk është përfshirë në programin e Evropës Digjitale, vlera e të cilit është afro 7.5 miliardë euro.
Pjesë e këtij programi janë pesë vendet e Ballkanit Perëndimor, por jo edhe Kosova.