Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është pyetur në Komitetin për Jashtë në Senatin e SHBA-së nëse ka garanci që Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk do të kthehet në një Republika Sërpska të dytë. Escobar ka thënë se ky është synimi dhe se e shohin Asociacionin si mënyrë “për të ndaluar atë që po bën Serbia në veri të Kosovës, e ajo pjesë të vendoset brenda strukturës ligjore të Kosovës”.
“Në fakt ky është synimi ynë. E kemi thënë se Asociacioni është obligim i marrë nga Kosova me marrëveshjen e Brukselit. Por, e kemi përsëritur vazhdimisht se do ta ndihmojmë Kosovën që ta formojë atë sipas një modeli evropian e që nuk shkel sovranitetin apo Kushtetutën e saj apo funksionalitetin. Siç e shohim ne, Asociacioni është rrugë për katër komunat apo komuna tjera që duan t’i bashkohen, që të marrin shërbime komunale për popullatën shumicë serbe në gjuhën serbe. Ne duam të përdorim Asociacionin për të ndaluar atë që po bën Serbia në veri të Kosovës, e të vendoset ajo pjesë brenda strukturës së Kosovës, të kontrollohet nga ligjet e Kosovës. Nuk e shoh si koncesion për Serbinë, por si mënyrë që Kosova të akomodojë qytetarët që jetojnë në atë pjesë të Kosovës, e që janë qytetarë të Kosovës”, tha Escobar. Ai tha se BE-ja po ofron modele evropiane, ku shtetet mund të ofrojnë shërbime në gjuhë tjera për qytetarët pakicë, por nuk futen apo shkelin kushtetutshmërinë e fqinjit.
E këshilltari i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Derek Chollet, ka thënë se duhet thënë vazhdimisht si Serbisë ashtu edhe Kosovës se është një mundësi që mund të mos vijë më me dekada.
“Duhet vazhduar t’u themi këtë. Dje kam folur me presidentin Vuçiq e kryeministrin Kurti, duke u përmendur rëndësinë dhe se duhet ecur bashkë drejt zbatimit. Duhet pranuar se BE-ja është angazhuar jashtëzakonisht së fundi. Kemi punuar me palët ne vazhdimisht. Por, palët duhet dëgjojnë këtë edhe nga Kongresi, të mos mendojnë se shqetësohemi vetëm ne. Nuk ka ndonjë ‘plumb magjik’ këtu. Duhet kurajë politike e rrezik për të dy liderët për të ecur para, ne duam t’u japim atë guxim”, tha Chollet.
SHBA-ja përkrah “Ballkanin e Hapur”
Derisa është folur për iniciativën “Ballkani i Hapur”, Escobari ka thënë se “mbështet çdo iniciativë që i afron bashkë vendet e Ballkanit derisa ajo iniciativë është në vijë me standardet e Bashkimit Evropian dhe për aq gjatë sa i trajton njëjtë të gjitha vendet”.
“Ne e mbështesim ‘Open Ballkanin’ dhe mbështesim tregun e përbashkët, aq sa e mbështesim edhe Procesin e Berlinit. Ne do të vazhdojmë t’i kontrollojmë me kujdes”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq Cholleti ka thënë se sheh përfitime të mëdha për shtetet nëpërmjet “Ballkanit të Hapur”.
“Ajo që po mundohemi që të arrijmë përmes ‘Open Ballkanit’ është një treg i përbashkët, treg i madh. Kjo do të ketë benefite të mëdha, si heqja e pritjeve të gjata të kamionëve në kufij”, ka thënë Chollet.
Derek Chollet, këshilltar i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, ka thënë se SHBA-ja nuk po sheh implementim të madh të marrëveshjeve që Kosova dhe Serbia arritën në Bruksel dhe në Ohër për planin e zbatimit të marrëveshjes bazë. Sipas tij, asnjëra palë nuk po kryen zotimet e veta.
“Nuk kemi pasur implementim nga asnjëra palë. Është diçka që Escobari është shumë i përqendruar. Ka folur edhe me Borrellin për këtë, BE-ja është e përkushtuar. Duhet diplomaci intensive nga të dyja palët”, ka thënë Chollet që e ka vlerësuar marrëveshjen si të obligueshme.
Ai ka thënë se SHBA-ja ka vlerësuar se në Serbi ka shumë korrupsion e se Vuçiqi është përgjegjës për këtë. Megjithatë ka shtuar se korrupsioni s’është i izoluar në Serbi, por është pengesë për tërë rajonin. “Kemi vënë sanksione për shumëkënd në rajon. E kemi bërë shumë të qartë”, ka thënë Chollet.
Cholleti ka thënë se SHBA-ja ka shtyrë përpara implementimin e marrëveshjeve të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vende.
“Kemi sinjale që është diçka që duhet të bëhet se shpejti në çështjen e njohjes së Kosovës. Kjo gjithashtu do të jetë shumë e vështirë. Ajo që u themi miqve tonë është se ne kemi punuar fort, po punojmë dhe do të punojmë fort, por ne duhet ta shohim këtë marrëveshje duke u implementuar që çështja jonë të bëhet më e fortë”, ka deklaruar ai.
Këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se Kosova ka përkrahjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në aspiratat për integrim ndërkombëtar dhe pranimin në NATO e Bashkim Evropian. Duke raportuar në Komitetin për Politikë të Jashtme në Senatin e SHBA-së, Chollet ka thënë se për dialogun me Serbinë kërkohet guxim politik.
Ai ka deklaruar se Ballkani Perëndimor është prioritet për administratën e Joe Bidenit dhe se kjo është edhe personale për shkak të lidhjes së presidentit amerikan me rajonin. Chollet e ka vlerësuar si jo të lehtë integrimin e rajonit duke përmendur liderët antidemokratë, korrupsionin, sundimin e dobët të ligjit, pengesat ekonomike e ndikimin rus. Ka thënë se Ballkani Perëndimor ka nevojë për ndihmën e SHBA-së.
Sfidën kryesore për rajonin ai e ka cilësuar dialogun Kosovë-Serbi.
“Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Është ndër aleatët më të afërt”, ka thënë ai duke shtuar SHBA-ja “përkrah anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe synon afrimin dhe pranimin e saj në NATO dhe BE”.
Chollet ka shtuar se aspiratat evropiane për të dyja shtetet s’mund të bëhen realitet pa i zgjidhur dallimet.
Marrëveshjet e fundit ai i ka parë si rrugë drejt normalizimit, por ka shtuar se megjithatë mbesin të brishta.
“Duhet shumë punë, guxim politik e ne vazhdojmë t’i inkurajojmë të dyja palët që t’i përmbushin zotimet. Përderisa ne përkrahim Kosovën, po ashtu duam t’i thellojmë raportet me Serbinë”, ka thënë ai duke bërë të ditur se për raportet me Serbinë funksionojnë “me sy hapur, pasi Serbia ka sfidë me korrupsionin e të tjera”.
Sfidë të dytë të rajonit ai e ka parë gjendjen në Bosnje ndërsa për Malin e Zi ka thënë se përkrah integrimin evropian, teksa ka lavdëruar Maqedoninë e Shqipërinë.
Escobar: SHBA-ja e përkushtuar për marrëveshjet Kosovë-Serbi
Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se është arritur një hap i madh para me Marrëveshjen në Bruksel dhe aneksin e zbatimit. Escobar ka thënë se zbatimi ka nisur, dhe se më 2 maj është biseduar mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e po ashtu janë dakorduar për Deklaratën për personat e zhdukur.
“SHBA-ja do të mbetet e përkushtuar me Kosovën, Serbinë dhe BE-në që të plotësohen të gjitha obligimet në dialog. Dështimi për të bërë përparim për një kohë tepër të gjatë, i ka mundësuar Rusisë që të ndikojë në planin strategjik të Serbisë për anëtarësim në BE”, ka thënë Escobar.
Bob Menendez, kryesuesi i Komitetit për Jashtë në Senatin e SHBA-së, ka thënë se po e sheh se Kosovës është vazhdimisht duke iu bërë presion për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa ndaj Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq, nuk po bëhet fare presion.
Menendez ka kërkuar përgjigje nga këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe nga emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se cili është plani.
“Unë personalisht nuk besoj se kemi vepruar në frymë të njëjtë. Në shkurt u arrit një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë me ndihmën e Brukselit. Menjëherë pas kësaj presidenti Vuçiq bëri deklarata publike, duke mos u pajtuar me përmbajtjen e marrëveshjes dhe refuzoi ta nënshkruante, pasi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Menendez. Ai ka thënë se Vuçiqi po luan lojën e zakonshme duke thënë një gjë për të vënë në lojë liderët e Perëndimit, e më pas thotë diçka tjetër para mediave serbe të kontrolluara nga shteti.
“Me kontrollin e mediave dhe shtypjen e shoqërisë civile, Vuçiqi vazhdon të ndjekë narrativën e serbëve nacionaliste, duke treguar për vizionin e ‘Serbisë së madhe’, ngjashëm si Putini për ‘Rusinë e madhe’. Ai se ka fshehur lidhjen me Putinin. Ka udhëtuar në Moskë për tregti, refuzoi të vendoste sanksione ndaj Rusisë. Duam të shohim nga dëshmitarët cili është plani për të ecur para. Shoh se shumica e presionit i bëhet Kosovës për Asociacionin, që e pranoj se Kosova e ka pranuar këtë marrëveshje më herët. Por, më duket se nuk ka fare presion ndaj Beogradit, apo plan apo garanci se Asociacioni s’do të jetë një Republika Sërpska tjetër. Po shoh pak presion ndaj liderit të cilin New York Times e portretizoi për lidhjet me botën e krimit të organizuar në Serbi”, tha Menendez.