“Nënshkrimi mund të jetë pjesë e ceremonialit, por takimi mund të shpallet i sukeseshëm edhe pa të. Sa për ‘pengesat’, ato tashmë janë të tejkaluara për vetë fatkin se teksti është i panegociueshëm”, thotë në një intervistë për portalin Politiko.makdomen.net, njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), historiani dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi, duke folur për takimin e të shtunës në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ai thotë se Ohri si vend ku do të zhvillohet takimi mund të ketë simbolikë për vetë faktin se po në të njejtin qytet është nënshkruar edhe Marrëveshja e vitit 2001 e cila mbylli kapitullin e një konflikti të armatosur dhe hapi rrugën e marrëveshjeve paqësore.
Sipas tij, plani franko gjerman tashmë është i njohur me shpalljen e parimeve në formën ultimative.
“Në pikën 10 parashihet jetësimi i të gjitha marrëveshjeve të deritanishme, përfshirë edhe Asociacionin. Pika 7 , megjithatë, len mundësi, që në fazën e hartimit të statusit pozita e komunave serbe të disajnohet edhe me elemente të caktuara të autonimisë. Mbetet për t’u parë modelet e ndryshme për të cilat po flitet, po që Kosovës i mbetet që rregullimi i këtyre të mos prek kushtetushmërinë dhe sovranitetin e shtetit”, thotë Buxhovi në intervistë.
Politiko.makdomen.net: Çka mund të pritet të shtunën në takimin e radhës midis Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit? A mendoni se ata i kanë tejkaluar pengesat e deritashme për ta vënë nënshkrimin?
Jusuf Buxhovi: Ata tashmë janë pajtuar për parimet themelore, të mbarështruara në formën ultimative “merr, ose lë”. Nënshkrimi mund të jetë pjesë e ceremonialit, por takimi mund të shpallet i sukeseshëm edhe pa të. Sa për “pengesat” që thotni, ato tashmë janë të tejkaluara për vetë faktin se teksti është i panegociueshëm.
Politiko.makdomen.net: A mendoni se ka një simbolikë Ohri që BE e zgjodhi si vend për këtë takim, duke kujtuar se pikërisht në Ohër në gusht të vitit 2001 ishte arritur Marrëveshja e njohur e Ohrit që i dha fund një konflikti disa mujor në Maqedoni?
Jusuf Buxhovi: Mund të ketë simbolikë Ohri për vetë faktin se ajo marrëveshje mbylli kapitullin e një konflikti të armatosur dhe hapi rrugën e marrëveshjeve paqësore, ndonëse të pabarabarta për shqiptarët ngaqë nuk ia dolën që të fitojnë statusin e faktorit shtetformues. Pra, fakti që maqedonasit në këtë ndërmjetësim ndërkombëtar ruajtën pozitën e shtetit-komb, mund të jetë indikativ, që edhe Serbia të fitojë pozitën e faktorit rajonal në rrethanat e tanishme gjeopolitike. Ky privilegj, do të përcillet me marrëveshjen që të dy shtetet de fakto pranojnë njëra-tjetrën si të barabarta.
Politiko.makdomen.net: A ka gjëra të panjohura Marrëveshja Franko-Gjermane? SHBA-të dhe BE-ja thonë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk ka ingerenca ekzekutive? A mjafton kjo si garancë?
Jusuf Buxhovi: Plani franko-gjerman tashmë është i njohur me shpalljen e parimeve në formën ultimative. Në pikën 10 parashihet jetësimi i të gjitha marrëveshjeve të deritanishme, përfshirë edhe Asociacionin. Pika 7 , megjithatë, len mundësi, që në fazën e hartimit të statusit pozita e komunave serbe të disajnohet edhe me elemente të caktuara të autonimisë. Mbetet për t’u parë modelet e ndryshme për të cilat po flitet, po që Kosovës i mbetet që rregullimi i këtyre të mos prek kushtetushmërinë dhe sovranitetin e shtetit.
Politiko.makdomen.net: Si e shikoni “zbutjen” e qëndrimeve të Albin Kurtit kundrejt qëndrimeve që i ka pasur si opozitar lidhur me këto çështje të dialogut, apo mund të jetë vetëm një lëvizje takike për të mos e bllokuar procesin dhe për të mos u akuzuar ai si fajtor për këtë?
Jusuf Buxhovi: Nuk ka kurrëfarë “zbutjesh” të qendrimeve të Kurtit. Ai tash, për ndryshim nga sjellja e tij e derivonshme, si lider partiak me manirët e militantizmit partiak, po sillet si burrshtetas në përputhje me të mundshmën. Kurti, është i vetëdijshëm se puna ka ardhë deri aty kur nuk ka kurrëfarë hapësire manovrimi pos të veprojë në përputhje me diktatin e aleatëve. Kjo paraqet një shans të mirë që ai të kthehet në një burrështetat të përgjegjshëm!
Politiko.makdomen.net: “Njohja pa njohje”, është reale apo edhe kjo si një zgjidhje kalimtare që njohja të vijë në ndonjë periudhë të ardhme?
Jusuf Buxhovi: Njohja pa njohe është proces i normalizimit, ku të dy shtetet retorikën e deritanishme e kthejnë në pragmatizëm politik në përputhje me intresat e gjeopolitkës perëndimore.
Politiko.makdomen.net: Si e vlerësoni qëndrimin e opozitës, të presidents dhe kryeministrit deri tash, sikur ka një ndërrim rolesh? Është çështje e demagogjisë politike, lojë ironike midis tyre apo shprehje e realpolitikës?
Jusuf Buxhovi: Opozita (LDK, PDK, AAK) nuk kan kurrëfarë të drejte morale e as politike të qesin bishta, meqë ato janë përgjegjeset kryesore për gjendjen e tanishme të implikimit të politikës së Beogradit në Kosovë. Ajo është dashtë nga viti 2010 të veprojë në përputhje me tapitë shtetërore që i mori nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë. Sjellja e tanishme e opozitës është për keqardhje, veçmas e LDK-së si parti shtetformuese dhe me merita historike. Ajo duhet të sillet në përputhje me interesin e shtetit dhe jo të çesë shkokla për qëllime elektorale.