/Editorial i portalit indeks.mk/
“Diçka është e kalbur…”!
Replika shekspiriane “diçka është e kalbur në mbretërinë e Danimarkës” mund të përkthehet në çdo vend apo shoqëri. Por dhe për individë. Kështu mund të themi edhe për “fenomenin Llatas”, si një eksponent i një modeli medial, por që në anën tjetër, flet dhe për shoqërinë tonë që mund të “durojë” fenomene si.
Ra rasti i një rrëfimi televiziv ku ai foli për gjithçka, që të na shpërfaqë fytyrën e vërtetë të këtij “ylli” medial, kaherë të zbehur nga shkëlqimi. Ai në sinqeritetin më të madh ekzaltues, hapi zemrën për të rrëfyer edhe për gjëra që çdo njeri normal do të turpërohej. Dhe rrëfeu për një dhunim të një (pothuajse) të mitur, si diçka interesante për moshën e rinie dhe me këtë skandalizoi gjithë publikun e Maqedonisë dhe reagimet nuk kanë të ndalur. Kjo është ana e moralit individual që me gjasë s’e ka dhe s’e ka pasur kurrë ky person i humbur në fushën e medias. Është rast i mirë për ta kujtuar, përskaj këtij degradimi moral, edhe për degradimin profesional të tij, i cili ka ndërruar gëzofin si kanë fryrë erërat politike.
Si gazetar dhe redaktor në njërin nga televizionet e para të pavarura, ku gjeti strehë, TV Sitel, në fillim pat rënë në sy me gjuhën dhe stilin kritik në “besedat” e gjata në kuadër të ditarit televiziv, diç që ishte “risi” por dhe e pashembullt. I mëshonte jo pak edhe telit të patriotizmit. Patriotizmit madje ia flijonte edhe parimet e profesionit. Kështu, në një nga ato zgjedhjet e kaluara, mbahet mend që ditën e votimit për do zgjedhje parlamentare, që doli në TV-në “e tij” me apel maqedonasve(etnikë) për të votuar për një kandidat a parti maqedonase, që të mos fitonte kandidati apo partia shqiptare! Këtë e bëri para opinionit të gjerë publik, duke i shkelur jo vetëm parimet profesionale, por dhe rregullat për mbulimin medial të fushatës zgjedhore! Por ai e bëri, duke mos çarë kokën fare.
Në fillim, duke qenë redaktor i televizionit të Lubisav Ivanov-Xingos, dukej si normale të ishte me këtë parti dhe me qeverisjet ku merrte pjesë. Prandaj dhe përkrahte opcione të majta, ose më sakta, mbronte interesat e qeverive të majta. Për shkak të diskursit (kuazi)patriotik, apo më saktë, për shkak të interesave profitere,(kjo u zbulua në ato “bombat”) e njohura, kur ai u rreshtua me VMRO-në dhe mbronte me ngulm kauzat “patriotike” të Gruevskit për mosndërrim të emrit të shtetit dhe shumëçka tjetër, ndonëse një dikushi që s’e kishte mbiemrin tipik maqedonas, dukej tepër e panatyrshme. Por në ato bombat e njohura të Zaevit doli në pah se ai kishte pasur përfitime qindra euroshe “për këshilla” nëpërmjet një fime me asnjë të punësuar, pas së cilës qëndronte ai. Pra, gjithë kjo përkrahje politikave të Gruevskit, s’ishte asgjë tjetër, pos profiterizëm medial, që në Maqedoni morën emrin sipas fjalorit që ai e përdorte në komunikim me pushtetarët, “kurton-mediumi”(“media-prezervative”!). Rezultat i kësaj është procesi gjyqësor ndaj tij për këto qindra euro.
Fenomeni Llatas, i zbuluar pas bombave, në të vërtetë, nuk zbuloi vetëm profiterin medial Llatas, por dhe shemën me të cilën i kishte korruptuar të gjitha mediat që i ishin servilozur pushtetit të Gruevskit. Prandaj, kur një parti si VMRO, që kishte blerë me para shtetërore lojalitetin e mediave dhe Llatasëve jo të paktë, dhe shet moral dhe kur mëton të nxjerrë gjëra komprometuese te oponentët e vet, duhet pak të shikojë veten dhe të ulë pak kokën nga turpi, sepse, vazhdimisht prej kësaj partie dëgjojmë akuza ndaj të tjerëve, por assesi pendim për bëmat e veta. Sepse, nëse një Llatas që flet sot pa turp edhe për perversitetet e rinisë, dhe ai u ka shërbyer politikave të një partie, vetëm mund të konstatojmë se fytyra e asaj partie nuk mund të jetë më e bukur se ajo e Llatasit.