Studentët në universitetet shtetërore do të kenë mundësinë të marrin vauçerë për të shfrytëzuar ofertat e turizmit vendor nga viti i ardhshëm. Kjo është një masë e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, që ishte e destinuar për punëtorët me të ardhura të ulëta, e cila tani do të jetë vetëm për mbështetjen e studentëve dhe do të ndihmojë në zhvillimin e sektorit turistik.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe ai i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, kanë takuar sot përfaqësuesit e kuvendeve studentore për të diskutuar kriteret e ndarjes së vauçerëve. Vauçerët do të jepen sipas kritereve që do të përcaktohen në bashkëpunim me përfaqësuesit e kuvendeve studentore. Vlera e vauçerit do të variojë në varësi të propozimeve të studentëve, por pritet të përfshijë nga 3000 deri në 4000 studentë nga universitetet shtetërore.
Ministri Bekteshi tha se masa do të zbatohet nga janari i vitit të ardhshëm dhe do të zgjasë deri në fund të vitit.
“Sot diskutuam me studentët kriteret e ndarjes së vauçerëve për turizmin vendor për studentët dhe pritshmëritë e tyre nga kjo masë, të cilën Ministria e ka zbatuar në katër vitet e fundit për punëtorët me të ardhura të ulëta. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, këtë masë e sollëm në Ministrinë e Ekonomisë që të jetë vetëm për studentët vitin e ardhshëm. Ne duam t’u japim studentëve mundësinë për të vizituar pikat turistike vendase, për të eksploruar potencialin turistik të vendit. Për këtë qëllim në buxhetin e Ministrisë së Ekonomisë janë paraparë 64 milionë denarë. Vlera e vauçerit do të varet nga propozimet që do të vijnë nga studentët dhe në varësi të kësaj do të dihet edhe numri i studentëve që do të përfshihen dhe sipas vlerësimeve fillestare do të përfshihen nga 3000 deri në 4000 studentë nga universitetet shtetërore”, tha ministri Bekteshi pas takimit me përfaqësuesit e studentëve.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, tha se kjo masë është një vazhdim i masave të Qeverisë për të përmirësuar standardin studentor, të cilat përfshijnë edhe rritjen e bursave dhe subvencionimin e transportit.
“Në të kaluarën kemi pasur disa masa që i kemi diskutuar me të gjitha organizatat studentore për një vlerë më të lartë të racionit të subvencionuar studentor, duke vazhduar me bursa më të larta dhe tani vazhdojmë t’i mbështesim studentët me vauçerë për turizmin vendor. Masa është për t’u përshëndetur sepse duhet të motivojmë studentët gjatë studimeve që të arrijnë rezultate më të mira dhe me këtë masë mund të kontribuojmë edhe në zhvillimin e turizmit të vendit tonë”, tha ministri Shaqiri.
Kriteret përfundimtare për vauçerët do të bëhen publike gjatë javës së ardhshme, pas konsultimit me shoqatat studentore.
Këngëtari nga Shkupi, Lindon Berisha së bashku me artistin nga Shqipëria Luiz Ejlli kanë lanësuar…
Qeveria merr vendim kolektiv, vendimet nuk janë individuale, theksoi sot ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska…
“Vendimet e qeverisë janë kolektive dhe jo individuale”, kështu u përgjigj sot ministrja e Financave,…
Është me interes pubik që të dihet se çfarë kuadro ka partia Besa, respektivisht për…
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shpreh shqetësimin e saj për reagimin e fortë që po…
Bashkimi Demokratik për Integrim sot mbajti mbledhjen e përgjithshme të partisë në Gostivar. Kreu i…