Një grup gazetarësh nga Serbia kanë bërë një vizitë tre ditore në Kosovë, ku kanë takuar kolegët e tyre shqiptarë dhe kanë shikuar jetën e komunitetit serb në veri të vendit. Ata kanë konstatuar se situata në Kosovë është shumë më e qetë dhe normale se sa u paraqitet në mediat e tyre, të cilat sipas tyre janë të mbushura me propagandë.
Dalibor Stupar, i cili punon në median Autonomija. info në Novi Sad, ka thënë se ishte hera e parë që shkoi në Mitrovicë dhe se u befasua nga mungesa e barrikadave, policisë dhe KFOR-it, të cilët zakonisht shfaqen si simbole të konfliktit në veri. Ai ka thënë se në Serbi nuk shohin asnjëherë zërin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, por vetëm atë të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.
“Këtu qenka qetë, edhe pse në fillim nuk dija çfarë të prisja. Unë nuk pashë asnjë barrikadë apo gjëra të tilla, kështu që më duket si një qytet normal, por nuk kam qëndruar këtu për një kohë të gjatë, kështu që nuk mund të them shumë”- ka thënë Stupar për KALLXO.
Tanja Maksiq, nga BIRN Serbia, ka thënë se në mediat në Serbi kanë një imazh shumë të kufizuar për Kosovën në përgjithësi, dhe veçanërisht për veriun e Kosovës. Ajo ka thënë se për të ishte një përvojë shumë e rëndësishme të shihte se si duket Mitrovica, si duken dyqanet, kafenetë dhe njerëzit në rrugë.
“Përfaqësimi në Serbi është mjaft i kufizuar kështu që edhe rrugët në Mitrovicë apo ura pothuajse nuk shihen ndonjëherë në kanalet kryesore serbe. Kështu që për mua ishte një përvojë shumë e rëndësishme të kisha një shans për të parë se si duket, si duken dyqanet, si duken kafenetë, si po sillen njerëzit në rrugë”- ka thënë Maksiq.
Gazetarët nga Serbia erdhën në Kosovë për të shkëmbyer përvoja me gazetarët shqiptarë, në kuadër të një projekti të organizuar nga BIRN Kosova dhe BIRN Serbia. Qëllimi i këtij projekti është të rrisë bashkëpunimin dhe komunikimin mes gazetarëve të dy vendeve, të cilët përballen me sfida të mëdha në raportimin e çështjeve të ndjeshme dhe të kontestuara.
Gazetarët kanë qëndruar në Graçanicë dhe në veri të Mitrovicës, ku kanë biseduar me banorët lokalë, zyrtarët e komunave dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare. Ata kanë diskutuar jo vetëm për dialogun politik dhe luftën e fundit, por edhe për kulturat, martesat, ushqimin dhe përditshmërinë e të dy popujve.
Stupar ka thënë se do të ishte mirë të ketë më shumë bashkëpunime mes gazetarëve të Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që t’u tregojnë njerëzve jetën reale dhe të verifikojnë informacionet që u ofrohen nga mediat e tyre.
“Mediat kanë mundësinë të na tregojnë anën tjetër, ndaj mendoj se nëse gazetarët njihen me njëri-tjetrin, do të jetë më mirë sepse mund të pyesim njërin prej tyre. Unë mund t’ju pyes diçka dhe ju mund të më jepni disa informacione që të mund të kontrolloj nëse është e vërtetë ajo që na servohet nga mediat tona,” ka thënë Stupar. (politiko.makdomen.net)
Këngëtari nga Shkupi, Lindon Berisha së bashku me artistin nga Shqipëria Luiz Ejlli kanë lanësuar…
Qeveria merr vendim kolektiv, vendimet nuk janë individuale, theksoi sot ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska…
“Vendimet e qeverisë janë kolektive dhe jo individuale”, kështu u përgjigj sot ministrja e Financave,…
Është me interes pubik që të dihet se çfarë kuadro ka partia Besa, respektivisht për…
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shpreh shqetësimin e saj për reagimin e fortë që po…
Bashkimi Demokratik për Integrim sot mbajti mbledhjen e përgjithshme të partisë në Gostivar. Kreu i…