Përpjekjet për t’iu drejtuar qytetarëve në gjuhën e tyre, duhet kuptuar si gjeste të bukura, pa paragjykime, zaten ashtu siç janë kuptuar në mediat shqipe politikanët maqedonas që në ndonjë moment solemn kanë bërë përpjekje për të folur shqip, pa i vënë në tallje ato përpjekje parimore, shkruan kolumnisti i gazetës Koha, Daut Dauti, në shkrimin e tij të së shtunës, “Kush e paragjykon maqedonishten e Ali Ahmetit?”.
“Si duket, nuk ka fat Ali Ahmeti! Nuk e kuptojnë drejtë as kur bën politikë, as kur në sinqeritetin më të madh jep mesazhe përtej politikës! Duke përjashtuar përfaqësues të ekzekutivit, ai, me sa mund të kujtojmë, është politikani i vetëm shqiptar që ka uruar një festë si 24 maji, ditës së iluministëve gjithësllavë, Kirilit dhe Metodit. Dhe përsëri u gjet në shënjestër, me dyshimet e vjetra dhe të reja për qëllimin, apo me dilemat ç’ka dashur të thotë autori. Shumëkush pyeti: Pse pikërisht tash?”, thotë Dauti, duke e vënë në vazhdim theksin te sinqeriteti i gjestit.
“Sinqeriteti konsiston në përpjekjen për t’iu drejtuar popullit maqedonas me porosinë e qartë se sa ka respekt ndaj gjuhës maqedonase dhe sa e kupton ndjeshmërinë e problemit identitar. Me këtë, edhe në mënyrë indirekte të hedhë poshtë çdo dyshim se ai dhe partia e tij bëjnë diçka që të cenohen ato.”
Kjo është ajo përpjekje e Ali Ahmetit, që respektin e vet ta shprehtë duke iu drejtuar në maqedonisht bashkëqytetarëve. Por këtu është “papërsosshmëria” e maqedonishtes së tij. “Edhe kjo në anën tjetër, tregon sinqeritetin tjetër të tij dhe hedh poshtë çdo dyshim të deritashëm që thoshte se Ali Ahmeti nuk flet maqedonisht, sepse nuk do. Me gabimet në theks gjatë leximit të porosisë, tregon se ai flet një maqedonishte jo të përsosur në pikëpamje të theksit, ndaj dhe deri tash, sigurisht edhe në të ardhmen, do t’i ikë komunikimit të shlirshëm, pikërisht për këtë shkak.”, shkruan autori, i cili këtë gjest të Ali Ahmetit e vë në korrelacion me disa të ngjashëm të politikanëve maqedonas, të cilët në raste të caktuara kanë folur shqip.
“Nëse do të donim të bëjmë krahasime, do të duhet të themi të vërtetën se edhe ashtu siç e flet, maqedonishtja e Ali Ahmetit është shumë më e mirë se përpjekja qesharake e Gruevskit ose ndonjë politikani tjetër maqedonas, për t’iu drejtuar shqiptarëve në gjuhën e tyre. Këto përpjekje duhet kuptuar si një gjest të bukur, pa paragjykime, zaten ashtu siç janë kuptuar në mediat shqipe, pa i vënë në tallje ato përpjekje parimore.’, thotë D.Dauti, i cili më tutje flet për limitet objektive pse kur flasim në një gjuhë tjetër, nuk ka përsosmëri, si në rastin e Ali Ahmetit me maqedonishten.
“Çdo pjesëtar i një kombi mund të flet shumë gjuhë, por në çdo gjuhë tjetër pos asaj amtare, do të vërehen patjetër defektet. Sepse është e natyrshme të mos jemi të përsosur. Në rastin e Ali Ahmetit, ka pasur paragjykime të shumta, duke harruar faktin kryesor: ai që nga rinia, është larguar nga Maqedonia dhe në Perëndim ku ka jetuar me dekada, nuk ka pasur as mundësi, as nevojë ta flasë, ndaj dhe maqedonishtja ka mbetur në një nivel të fëmijërisë së tij, edhe ashtu të mësuar në kushte të distancimit nga mjedisi urban, ku ndikimi i një gjuhe tjetër është më i madh. Kjo pra, është e gjithë e vërteta nga një aspekt kulturologjik.”
Në fund Dauti merret edhe me aspektin politik të urimit.
“E tash, nëse marrim aspektin politik, mund t’i kuptojmë edhe motivet e Ali Ahmetit në këtë moment kyç për Maqedoninë, kur procesi i eurointegrimit çon përmes një kompromisi, siç është futja e bullgarëve në kushtetutë, çështje kjo e paragjykuar nga një pjesë e qytetarëve të manipuluar nga mediat dhe disa subjekte opozitare. Në këtë mënyrë lideri i BDI-së, i cili së fundmi gjithë energjinë e ka vënë në shërbim të kauzës evropiane, mëton të afrojë edhe subjekte të tjera dhe të bindë edhe publikun në qëllimin e përbashkët.”, përfundon kolumnisti i “Kohës”
Kolumna e plotë: https://www.koha.mk/kush-e-paragjykon-maqedonishten-e-ali-ahmetit/