Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, do të paraqitet në një gjykatë federale në Miami të martën, pasi akuzohet për marrjen e dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij në Florid . Mbi ish-presidentin janë ngritur disa akuza si mbajtje të qëllimshme të informacionit të mbrojtjes kombëtare, pengim të drejtësisë, dhënie të deklaratave të rreme.
Sipas avokatit të tij, Trump po përballet me një aktakuzë të shumëfishtë në lidhje me mbajtjen e informacionit të mbrojtjes kombëtare dhe pengimin e drejtësisë.
“Jam thirrur të paraqitem në Gjykatën Federale në Miami të martën. Nuk e kam menduar kurrë se një gjë e tillë mund t’i ndodhë një ish-presidenti të Shteteve të Bashkuara”, shkroi Trump në një postim në platformën e tij “Truth Social”.
Aktakuza erdhi pas një hetimi njëmujor nga prokurori i posaçëm Jack Smith për të përcaktuar nëse Trumpi shkeli ligjin, duke mbajtur qindra dokumente të klasifikuara në pronën e tij në Mar-a-Lago dhe nëse ndërmori hapa për të penguar përpjekjet e qeverisë për t’i rimarrë ato. Prokurorët kanë thënë se ish-presidenti mori afërsisht 300 dokumente të klasifikuara në Mar-a-Lago, pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë, duke përfshirë rreth 100 dokumente që u sekuestruan nga FBI-ja gushtin e kaluar gjatë një kontrolli të shtëpisë, që qartësoi peshën e hetimit të Departamentit të Drejtësisë.
Ish-presidenti, i cili po bën fushatë për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024, theksoi se masa është “një akt i neveritshëm i ndërhyrjes në zgjedhje”.Kjo do të jetë thirrja e dytë gjyqësore e Trump brenda pak muajsh. Mbetet e paqartë se cilat do të jenë pasojat politike të menjëhershme dhe afatgjata për Donald Trump.