Si frymonte jeta përreth pazarit të Tetovës para 50 vitesh

98

Një foto e rrallë, mbase nga vitet e ’70-ta, e shkrepur nga lartësia e Kullës banesore te semaforët drejt Pazarit të vjetër të Tetovës, të cilën e kishte postuar në FB tetovari Nihat Osmanli, m’i trazoi disa kujtime të vjetra për këtë bërthamë të qytetit, në të cilën zhvillohej një jetë mjaft e gjallë, ku brenda ditës, në ato vite, thoshin, rrotulloheshin miliona marka gjermane.

Tetova ishte qyteti më i pasur, kushtimisht thënë, në rajonin më të varfër të Maqedonisë perëndimore. Por, ta lëmë këtë, është një temë tjetër, shumë më e gjerë. Do të bëj një përshkrim të improvizuar, jo të plotë e kuturu të kësaj fotografie dokumentuese, për të kthjelluar kujtesën e tetovarëve më të vjetër dhe për të dhënë një vizion retrospektiv për të rinjtë që nuk e kanë mbërri atë kohë.

Në këtë foto, poshtë spikatet një shtëpi e bardhë, ndaj do ta nisi përshkrimin tim me të. Para asaj shtëpie, aty ku duken disa vetura, janë në rrugën asokohe me një korsi, që në popull quhej rruga e Gostivarit. Te ajo shtëpia e bardhë, poshtë, ishte ëmbëltorja “Jagoda” e Nesetit (askush nuk thoshte ëmbëltorja “Dredhëza” apo “Luleshtrydhe”).

Aty frekuentonin shumë njerëz, nga të gjitha kategoritë, prej punëtorëve, pazarxhinjve e deri te intelektualët. Aty mbusheshin javë për jave, pranë kafesë dhe ëmbëlsirave, tiketat për “sportska”, për të qëlluar atë 13-shen magjike të ndeshjeve të Ligës së Parë të Futbollit në Jugosllavinë e atëhershme, si dhe disa ndeshje të Ligës së Dytë, me skuadrat Prishtina, Trepça, Liria e Teteksi…por kur kishte pauzë, edhe të Ligës italiane, për të fituar shumë para ëndërrimtare.

Aty bëheshin edhe biseda “politike” e “biznesi”, por edhe muhabete të kota. Menjëherë pranë saj, në të majtë, ishte hyrja kryesore lindore për në pazar, prej gjithsej katër hyrjeve nga të katër anët gjeografike. Po hedhim një përshkrim të shkurtër anës së majtë, që nuk duket në këtë foto.

Në atë cep, para hyrjes, ishte një bankë, një qebaptore, përpunuesi i plisave të bardhë, i cili s’e hiqte kurrë plisin e bardhë nga koka, punëtoria e xhamave të Ali Palloshit, dyqani i Beko sahatçiut, Jakup “zllatarit” (shumë emërtime asokohe ishin të bastarduara me shqiptime sllave). Jakupi ishte argjendari (artari) i parë në Tetovë, i cili e kishte marrë këtë mjeshtri në një dyqan të njohur në Shkup.

Të kalojmë në anën e djathtë të hyrjes së Pazarit, ajo që duket në këtë foto: pranë ëmbëltores ishte rrojtorja, ku punonte një berber i njohur, i cili bënte edhe synetin e fëmijëve, pastaj vinte dyqani i “Xhakartës”, kujunxhiut Branko, gjellëtorja e babait të një shoku, një xhamaxhi dhe hyrja lindore për në pazar, që nuk përdorej gjithaq.

Në të djathtë të hyrjes ishte Universiteti i Punëtorëve, ku moshatarë merrnin me “shkollën e natës” nga një dëftesë të fillores, si kusht për të hapur ndonjë dyqan. Aty, për herë të parë, në vitin 1965-66 është hapur Radio-Tetova, edhe në gjuhën shqipe. Pastaj radhiteshin disa dyqane basmaxhinjsh, për të dalë deri në qendër.

Përsëri i kthehemi fotos. Një pullaz i bardhë, që duket në të djathtë ishte “Shinobusi”, ku shkonin bekrinjtë dhe meraklinjtë për zbrazjen e gotave. Aty zhvillohej një jetë e qejfit jashtë normave. Pranë tij, duket një godinë nga ana e prapme e njohur si “Stokovna” apo Shtëpia e Mallrave, më në të majtë pjesa e prapme e dyqaneve të kasapëve. Krejt lart duket transversalja e tri godinave banesore, që quheshin “çeshell”, poshtë ishin zyrat e BVI të banesave, Komunaprojekti, Farmacia, Teteksi…

Në pjesën qendrore të fotos, duken tezgat e pazarit. Brenda pazarit kishte dy çajtore në pjesën jugore, në njërën sosh, që rrallë kush asokohe kishte televizor, në vitin 1966, aty, në mes tymit të duhanit, shumë tetovarë kanë përcjellë drejtpërdrejt në TV, shkeljen e parë të këmbës së njeriut në Hënë.

Anësh kishte vorbëtari, dyqan për “jufka” dhe kadaif, ishte studioja e Skenderit për shkrimin e firmave dhe mbishkrimeve. Në daljen veriore të pazarit ishte “pilara” e xha Samiut dhe një ëmbëltore në cep dhe shumë dyqane të tjera, shitës ambulantë, pazarxhinj e njerëz që shkëmbenin valuta… Kështu gjallëronte pazari i vjetër i Tetovës para 50 vjetësh…! (Ismail Arsllani.)