Rufi Osmani: Shërbimi sekret i ka ditur problemet e mia shëndetësore dhe të gruas, me numër anonim e kanë thirrur vajzën

136

Njëri prej më të përgjuarve nga shërbimet sekrete të Maqedonisë, Rufi Osmani nga Gostivari, në seancën e djeshme për përgjimin masiv “Target-Fortesa” është shqetësuar derisa ka dhënë dëshmi. Ai ka thënë se ka dyshuar se është i përgjuar në periudhën prej vitit 2008 deri në vitin 2015-të, derisa ka qenë kryetar i Gostivarit, a më pas edhe si kryetar i partisë. Osmani ka rrëfyer se ai dhe familja e tij kanë jetuar si në përditshmëri ferri duke e ditur se Policia Sekrete ia di problemet private, njofton Portalb.mk.

“I kanë ditur problemet e mia shëndetësore dhe të gruas. Në mënyrë anonime na kanë lajmëruar në shtëpi, në telefon, të gruas dhe të vajzës sime”, tha Osmani, i cili siç u duk është shqetësuar kur e ka përmendur fëmijën e tij, njofton SDK.

Kaploi heshtja në sallë të gjykimit. Ai kërkoi falje që është shqetësuar.

Më pas tha se për tre vite të tëra policia, gjegjësisht organet e përndjekjes e kanë keqtrajtuar me hetime të paramenduara për ndërtim pa leje për një kat të shtëpisë i cili është ndërtuar në mënyrë legale, ashtu sikur në fakt, tërë shtëpia. E kanë keqtrajtuar për prejardhjen e pronës, dhe kur e ka dëshmuar edhe për denarin e fundit për shtëpinë familjare se është nga mjetet që ia ka dërguar babai i tij që ka punuar jashtë vendit, kanë hequr dorë nga përndjekja kundër tij.