Qeveria Kurti kthen mbrapa maunet e para me mallra nga Serbia

373

Mbrëmë, Qeveria e Kosovës mori vendim për heqjen e plotë të tarifës 100% ndaj mallrave serbe dhe nga Bosnjë-Hercegovina dhe zëvendësoi atë me reciprocitet ndaj Serbisë.“Vendimi obligon që në marrëdhëniet tregtare me Serbinë, emërtimet në certifikatat fitosanitare dhe certifikatat veterinare, bashkë me dokumentet tjera përcjellëse të përdoren në​ përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi”, njoftoi ekzekutivi në detyrë që udhëhiqet nga Albin Kurti.Në një bisedë për KALLXO.com, ushtrues detyre i drejtorit të Doganave të Kosovës, Ibrahim Xhaka, ka thënë se reciprociteti po zbatohet nga institucioni që udhëheq.Deri më tani, sipas Xhakës, janë kthyer mallrat të cilat nuk kanë plotësuar dokumentacionin e nevojshëm.Ai ka thënë se nuk do të hyjë asnjë produkt në Kosovë nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina nëse nuk i plotëson kushtet e kërkuara dhe janë në kundërshtim me emërtime kushtetuese.“Me emërtime fyese apo jo kushtetuese nuk ka pasur ende nga mbrëmë sepse ato s’janë ardh fare. Ka pasur një rast që nuk e ka pasur të bashkangjitur certifikatën që kërkohet dhe ai rast është në procedurë me u kthy prapa. Nuk ka pasur me vete certifikatë fitosanitare që është kërkuar, nuk e ka pasur certifikatën dhe nuk është pranuar me u zhdoganu dhe në mungesë të dokumentacionit është kthy. Dokumenti jo komplet është kthy”, ka thënë Xhaka.“Asnjë produkt i cili shoqërohet me ndonjë mbishkrim jo kushtetues nuk lejohet të hyjë në Kosovë, asnjë produkt që është i shoqëruar me dokument jo kushtetues, pa marr parasysh çfarë produkti është ai, kjo vlen për të gjitha, është reciprocitet i plotë”, thotë ai për KALLXO.com.

Vendimi për reciprocitet të plotë sipas tij është duke u zbatuar në plotni dhe për këtë është bërë gati Dogana e Kosovës në bashkëpunim me institucionet tjera.
Xhaka tha se nuk do të lejohen futja e produkteve të cilat kanë mbishkrimin e shtetit me fusnotë.

Jo, ne e kemi emërtimin kushtetues Kosovë, pa fusnotë, pa asgjë, është emërtim sipas Kushtetutës së Kosovës. Nuk lejohen ato që kanë emrin jokushtetues”, thotë ai.

“Sapo e kemi marrë vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, mbrëmë nga mesnata ne kemi filluar me i zbatu masat e reciprocitetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për mallrat që janë me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina. Në pikë-kalimet kufitare janë duke u zbatuar këto masa”, deklaroi ai,.

“Masat përfshijnë ato që janë në vendim, vendimi i publikuar i qeverisë, domethënë certifikata fitosanitare, veterinare, certifikatat e kualitetit si dhe të gjitha dokumentacioni tregtar për zhdoganim. Dokumentacioni tregtar duhet të ketë emërtime kushtetuese të Republikës së Kosovës, nuk i pranojmë emërtimet nënçmuese a fyese a jo kushtetuese”, thotë ushtruesi i detyrës së drejtorit të Doganave të Kosovës, Ibrahim Xhaka.