Ministri i Punëve të Jashtme në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në një intervistë për Albanian Post, nga qyteti i Ohrit, ku do të mbahet takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është shprehur se Shkupi e mbështet një marrëveshje që ka njohjen reciproke në qendër.
“Pozicioni ynë si Maqedoni e Veriut është që të përkrahim procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, me një marrëveshje gjithëpërfshirëse që ka në qendër njohjen reciproke. Status-Qou-ja nuk është në dobi të asnjërës, vetëm në dobi të Federatës Ruse është ky pozicion”, tha Osmani për AP.
Po ashtu, Osmani potencoi se momentumi gjeopolitike dhe “përkushtimi i komunitetit ndërkombëtar që është i jashtëzakonshëm, nuk mendoj se është i përhershëm, dhe se duhet të shfrytëzohet”.
Tutje, kryediplomati maqedonas simbolikën e mbajtjes së takimit në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vucic, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në Ohër tha se vetë “fakti që mbahet këtu është një njohje për shtetin në sferën ndërkombëtare”.
“Maqedonia e Veriut, nga një shtet që deri dje ka qenë në proces konsolidimi, tani është bërë kontribuues për stabilitetin në rajon”.
Ai theksoi se roli i tyre këtu është për t’i inkurajuar palët pjesëmarrëse në dialog dhe se proceset që i ka kaluar ky shtet, e bëjnë kredibil për të organizuar takime të tilla.
“Edhe si vend anëtar i NATO-s edhe si kryesues i OSBE-së, kryesisht për shkak të storieve të saja të suksesshme që janë bërë këtu, si marrëveshja e Ohrit, marrëveshja e Prespës, pra kjo i jep kredibilitet vendit për të luajtur këtë rol; e dyta, fakti që mbahet në Ohër, në të njëjtën rezidencë ku është mbajtur dialogu për marrëveshjen e Ohrit është mirënjohje për marrëveshjen e Ohrit”, potencoi Osmani.
Në hollin e hotelit ku do të mbahet takimi në mes të Kurtit dhe Vucic’it, i pari i ekzekutivit kosovar takoi kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe ministrin e jashtëm, Bujar Osmani.
Osmani këtë takim me Kurtin e konsideron si garanci që i lideri i BDI-së, Ahmeti ia dha me vetë prezencën e tij kryeministrit kosovar “që të ketë besim në bashkësinë ndërkombëtare”.
“Ardhja këtu sot e Ali Ahmetit, për të biseduar me kryeministrin Kurti është një dëshmi për të treguar se – ai vetë i ka shtyrë të gjitha proceset me bashkësinë ndërkombëtare, dhe nuk ka dalur asnjëherë i zhgënjyer nga ky bashkëpunim dhe nga ky besim tek Uashingtoni dhe tek Brukseli”, tha ai.
Pasi që e takoi në mëngjes Kurtin, Osmani thotë se ka disponim nga delegacioni i Kosovës “për të gjetur një zgjidhje”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin.
Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com