“Një e treta e ushtrisë amerikane refuzon të marrë vaksinën kundër COVID-19”

66

Washington

Zëvendës drejtori i përgjithshëm i Departamentit të operacioneve në Shtabin e Përgjithshëm të SHBA-së, gjeneral majori Jeff Taliaferro tha se norma e atyre që janë vullnetarë për vaksinën kundër koronavirusit të ri (COVID-19) në ushtrinë amerikane është rreth dy të tretat.

Përderisa Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së shpërndan vaksinën kundër COVID-19 brenda ushtrisë mbi parimin vullnetar, tërheq vëmendjen se një numër i madh ushtarësh refuzojnë të vaksinohen.

Duke folur në Komitetin e Forcave të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, gjeneral majori Taliaferro tha se “Norma e atyre që pranojnë vaksinën është rreth dy të tretat”.

Gjenerali amerikan njoftoi se kjo gjetje bazohet në të dhënat e para, se procesi i shpërndarjes së vaksinës vazhdon dhe se kjo normë do të rritet.

Kjo deklaratë e Taliaferros ka shkaktuar në Washington komentet se një e treta e ushtarëve në ushtri refuzojnë vaksinën. Ndërsa zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby në një deklaratë lidhur me çështjen tha se norma e marrjes së vaksinës në ushtri reflekton normën e përgjithshme në shoqërinë amerikane.

Teksa Kirby nuk ka dhënë të dhëna lidhur me numrin e personave që kanë refuzuar vaksinën, ai ka shtuar se deri më tani janë shpërndarë 916.500 vaksina.

Ai vuri në dukje se numri i vaksinimit në ushtri do të kalojë 1 milion deri në fund të javës.

Kirby ka thënë se meqenëse vaksina është në fazën e përdorimit emergjent vaksinimi kryhet në mënyrë vullnetare, por që në periudhën e ardhshme numri i personave që do të marrin vaksinën do të rritet. (AA)