Kërçovë: 91 vjeçarja e vetme, e manipuluar dhe në hall të madh..! (VIDEO)

263

E vetme pa kushte për jetesë, pa fëmijë dhe familje është Nafije Saliu 91 vjeç e cila jeton në qytetin e Kërçovës, burri i saj ka ndërruar jetë vite më parë por asaj i ka lënë shtëpinë në qytet dhe tokat në Fshatin Tuhin. Të moshuarës pasi i vdes burri në vitin 2013 i ofrohet një familje me pretekstin se do të kujdeseshin për të deri në fund të jetës së saj por në qoftë se ajo në këmbim ua jepte shtëpinë dhe tokat që posedon. E gëzuar nga fakti se pjesën e mbetur të jetës nuk do ta kalonte e vetëm dhe pa kujdes pranoi ta jepte pasurinë e saj.

Por gjërat morën menjëherë tatëpjetën sepse kjo e moshuar mbeti as pa përkujdesje e as pa shtëpi, sepse siç thotë ajo pasi ajo e dhuroi pasurinë për një jetë më të mirë, sot ka mbetur as pa shtëpi as pa mall e as pa kujdes. Jeton e vetme dhe në mjerim, për të kujdesen disa nga komshinjtë.

“Shtëpia e imja është, por ai më tha do ta marr dhe ma mori, i thosha mos më thoshte çka të duhet ty. Më lan të rri vetëm njerëz nuk kam as djalë as vajzë as vëlla e as motër, 3 vëllezër më kanë vdekur, shihe si rri vetëm”, u shpreh Nafije Saliu.

Lokja 91 vjeçare ndjehet e manipuluar pasi që personi që i mori pasurinë nuk kujdeset për të siç i premtoi.

“Ai më gënjeu më tha unë do të kujdesëm për ty, unë do të kujdesem dhe unë u gënjeva, jam plakë, mendova se do jetoja mirë më gënjeu sa e nënshkrova, e mjera unë. Gjithë ditën rri aty shtrirë”, theksoi Nafije Saliu.

Ajo thotë se në dorë nuk ka asgjë dhe ndjehet e rrezikuar ta përzënë nga shtëpia dhe do mbetet rrugëve.

“Gjithë kohës më thoshte gruaja, nuk ke këtu ti asgjë, dil ti nga këtu, i thosha ku të shkoj, më thoshte dil nga këtu. Skam ku të shkoj”, potencoi Nafije Saliu.

Avokatja Tatjana Siljanoska e cila ka mbrojtur të dëmtuarën thotë se personi B.S i cili i ka premtuar të moshuarës së do të kujdesej për të deri në fund të jetës së saj dhe me këtë e ka detyruar që t’ia nënshkruaj shtëpinë si dhuratë, shtëpia në emër të tij ka kaluar më 14 shkurt 2013 në notar dhe ditën e nesërme personi B.S ia ka transferuar shtëpinë vëllait të tij R.S si dhuratë.

“Ankesa e parë nga ana jonë është bërë në vitin 2017 atëherë kur e kanë kuptuar fqinjët se shtëpia nuk figuron mbi emrin e saj që nga viti 2013. Shtëpinë e kanë marrë me pretekstin se do të kujdesen për të deri në fund të jetës së saj, por e kanë detyruar ta nënshkruaj si dhuratë. Kjo ka ndodhur më 14 shkurt 2013 ndërsa më 15 shkurt personi B.S që ia ka marrë shtëpinë në qytet dhe mallin në fshatin Tuhin, shtëpinë e të moshuarës ia ka dorëzuar vëllait të tij R.S ndërsa pronat në fshat i ka mbajtur për vete. Ankesat e saj për kthimin e pronës ia kanë hedhur poshtë nga Gjykata e Kërçovës në vitin 2018”, tha Tatjana Siljanovska – avokate.

TV 21 mëson se tokat e të moshuarës në fshatin Tuhin janë nxjerrë në shitje dhe ka të interesuar për blerjen e tyre.

Për rastin në fjalë është njoftuar edhe Avokati i Popullit, zyra në Kërçovë, Ylber Rufati, i cili ka marrë përgjigje nga të gjitha institucionet e drejtësisë se lënda është e kryer. Ai thotë se në bazë të ligjit ajo ka të drejtë që në Gjykatën Supreme të bëjë revokimin e lëndës.

“Dërguam kërkesë të Gjykata e Apelit në Gostivar, ata na informuan se lënda është e kryer dhe është kthyer në Gjykatën Themelore në Kërçovë. Pas informimit të Gjykatës Themelore në Kërçovë nëpërmjet shkresës na informuan se lënda është e kryer në vitin 2018. Pala është në gjendje shumë të rëndë, bëhet fjalë për mirëbesim nga ana e palës mirëpo pala tjetër ka shfrytëzuar të gjitha rastet ligjore dhe prona për momentin është në favorin e tyre”, deklaroi Ylber Rufati – Avokat i Popullit – Kërçovë.

TV21 ka kontaktuar edhe Gjykatën e Kërçovës nga të cilët presim të marrim një përgjigje ditëve në vijim. Për hir të korrektësisë ekipi jonë gjatë ditës disa herë u mundua të kontaktojë edhe me palën tjetër për të cilin pretendohet se ka marrë në pronësi shtëpinë dhe tokën, por rezultuam pa sukses.