Isa Mustafa: Vjosa Osmani nuk e respekton LDK-në, nuk merremi fare me të

125

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se LDK-ja nuk merret me situatën e Vjosa Osmanit brenda partisë.

Sipas Mustafës, Lidhja Demokratike e Kosovës ka çështje më të rëndësishme të cilat shqyrtohen brenda organeve të partisë.

“Nuk merremi fare me Vjosa Osmanin. Ne kemi çështje më të rëndësishme me të cilat merremi, pastaj këto çështje i diskutojmë në organet e brendshme të LDK-së edhe me znj. Osmani”, ka thënë Mustafa, i pyetur në lidhje me situatën e Osmanit në LDK.

Mustafa ka vlerësuar se Osmani nuk e respekton LDK-në, teksa ka thënë se dëshiron që ajo të punojë pa “teke personale” si kryetare e Kuvendit të Kosovës.

“Vjosa është kryetare e Kuvendit. Vazhdon ta kryejë punën. Dëshiroj që ajo punë të bëhet mirë, të mos ketë teke personale, hidhërime personale në kryerjen e atij funksioni”, ka deklaruar Mustafa në RTV21.

Mustafa po ashtu ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, për prishjen e marrëveshjes për koalicion ndërmjet LVV-së dhe LDK-së.