Boban Iliqi në shtëpi, babai i Almirit në burg!

171

“Boban Iliqi nuk ndodhet në burg. Por edhe atij i kemi dërguar ftesë që më 1 mars duhet të paraqitet në burg për ta vuajtur dënimin ashtu siç i kemi dërguar ftesë babait të Almirit”, ka deklaruar për KOHA, zëvendësdrejtori i burgut të Kumanovës, Mevlan Xhemaili. Avokati Asmir Alispahiç ka paralajmëruar për gazetën KOHA se do të dërgojë ankesë për të prolonguar vuajtjen e dënimit, ndërsa ka shtuar se rastin në fjalë do ta ankimojë edhe në Gjykatën e Strasburgut

Në tetor të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit për dënimet e të akuzuarve në rastin e “Almirit të vogël” solli vendim për të akuzuarin Boban Iliqin. Gjykata e shkallës së parë atë e kishte dënuar me 6 vjet burg, ndërsa Apeli ia ka ulur dënimin për 2 vjet, gjegjësisht nga 6 në 4 vjet burg. Gjithashtu, Apeli atëherë i kishte rikonfirmuar dënimet me burg për familjarët e Almirit. Pra, babai i vogëlushit, Sadat Aliu do të duhet të qëndrojë në burg 6 muaj, ndërkaq Sami Demiri dhe Abdullah Aliu nga 9 muaj. Ndërkohë, të martën – Gjykata Themelore në Kumanovë ua ka dërguar vendimin babait dhe axhës së Almirit të vogël që më 1 mars të këtij viti, të paraqiten në burg për ta vuajtur dënimin në burgun e Kumanovës.

Avokati i familjes Aliu, Asmir Alispahiç ndërkohë ka paralajmëruar për gazetën KOHA se do të dërgojë ankesë për të prolonguar vuajtjen e dënimit, ndërsa ka shtuar se rastin në fjalë do ta ankimojë edhe në Gjykatën e Strasburgut. “Dje ka ardhur vendimi nga Gjykata Themelore që xhaxhai dhe babai i Almirit të paraqitet në burg për të vuajtur dënimin. Unë do të dërgoj ankesë për të prolonguar vuajtjen e dënimit, por gjithashtu do të përgatis dhe ankesë që do ta dërgojë në Gjykatën e Strasburgut “, ka deklaruar për KOHA, avokat i familjes Aliu, Asmir Alispahiç. Nga burgu i Kumanovës ndërkohë konfirmojnë se kryerësi i veprës – Boban Iliq gjatë kësaj kohe nuk ka qenë në burg, gjegjësisht ka qëndruar në shtëpi. Por nga burgu thonë se përveç babait të Almirit, ftesë i kanë dërguar edhe Iliçit që më 1 mars të paraqitet në burg për ta vuajtur dënimin.

“Boban Iliqi nuk ndodhet në burg. Por edhe atij i kemi dërguar ftesë që më 1 mars duhet të paraqitet në burg për ta vuajtur dënimin ashtu siç i kemi dërguar ftesë babait të Almirit”, ka deklaruar për KOHA, zëvendësdrejtori i burgut të Kumanovës, Mevlan Xhemaili. Ai, mes tjerash tha se palët në fjalë kanë të drejtë të parashtrojnë ankesa për prolongimin e vuajtjes së dënimit. Pothuajse bëhen 5 vjet nga kur u nda padrejtësisht nga jeta vogëlushi 4-vjeçar Almir Aliu, pasi u përplas me makinë nga Boban Iliq, pas një zënke verbale që e kishin pasur paraprakisht babai i Almirit Sedat Aliut me Boban Iliqin në Shtëpinë e Shëndetit në Kumanovë. Gjatë gjithë kohës sa është zhvilluar procesi gjyqësor për këtë rast, ka pasur reagime dhe protesta të shumta duke kërkuar drejtësi për vogëlushin dhe dënim për vrasësin. Po ashtu, është kritikuar shumë edhe sjellja e të akuzuarit Iliq, i cili bënte veprime të pahijshme ndaj ekipeve të gazetarëve. I përfshirë në këtë rast ishte edhe vëllai i tij Bojan Iliq, por i njëjti i lirua nga akuza, duke u konsideruar i pafajshëm. Më 5 prill të vitit 2018, Boban Iliq u dënua me 6 vjet burg, babai i Almirit, Sedat Aliu me 6 muaj, ndërkaq Sami Demiri dhe Abdullah Aliu me nga 9 muaj burg. Për shkak se nga ky vendim mbetën të gjithë të pakënaqur, lënda u dërgua në Gjykatën e Apelit. Ajo e riktheu lëndën nga e para, për shkak se kishte konsideruar shkelje dhe parregullsi në procesin gjyqësor.

Procedura përsëri u zhvillua në Kumanovë nga i njëjti Trup gjykues, me të njëjtat prova dhe nuk u lejua prezantim i provave shtesë. Epilogu i procesit gjyqësor ishte vetëm konfirmim nga procesi paraprak, pa asnjë ndryshim të vetëm. Gjatë gjykimit, pati reagime në lidhje me atë se janë bërë lëshime gjatë procedurës, gjegjësisht janë marrë për dëshmi ekspertizat neuropsikiatrike të ekspertëve me licenca të skaduara. Pos kësaj, edhe pse në kamerat e sigurisë shihet qartë se vëllai i Bobanit, Bojan Iliq, ka qenë i përfshirë në rrahjen me Sedat Aliun, Sami Demirin dhe Abdulla Aliun, ai nuk u përfshi në akuzë, gjegjësisht nuk u dënua. Dështoi edhe Komisioni hetimor parlamentare i ngritur nga grupi parlamentar i BDI-së. Ky Komision që u themelua vetëm në letër në vitin 2018, deri tani nuk ka mbajtur asnjë mbledhje dhe madje askush në Parlament nuk di të thotë ndonjë informatë lidhur me këtë iniciativë. (koha.mk)