Biznesmeni tetovar Nazif Destani hyn në biznesin e prodhimit të makinave?

776

Një investitor shqiptar përfshihet për herë të parë në industrinë e prodhimit të automjeteve. Është fjala për biznesmenin Nazif Destani i cili është sipërmarrësi dhe investitori kryesor i kompanisë “Next. e.GO Mobile”, një linjë gjermane e angazhuar në prodhimin e automjeteve elektrike.

Së fundi, kompania do të jetë prezente në shtetin grek, për të krijuar një ndërmarrje të përbashkët atje, pas një letre mirëkuptimi të nënshkruar nga “Next.e.GO Mobile SE” dhe “Enterprise Greece”, një agjenci qeveritare e investimeve dhe promovimit të tregtisë.

Investimi, që në fazën e tij të parë kap një vlerë prej 100 milionë eurosh, parashikon prodhimin e 30.000 automjeteve në vit në një projekt që do të zbatohet në 24 muaj. Sipas “Enterprise Greece”, marrëveshja përfundimtare pritet të jetë gati brenda tre muajsh.

Palët po krijojnë një grup pune për ngritjen e një fabrike të prodhimit të automjeteve në Greqi. Sipas kompanisë gjermane, përmes kësaj marrëveshjeje për herë të parë do të mundësohet krijimi i platformës e.Go life në një vend tjetër, jashtë vendit të origjinës. Në këtë mënyrë kompania arrin të ngrejë dy pika të prodhimit të automjeteve të saj në Bashkimin Europian.

Grupi i punës do të drejtohet nga George Filiopoulos, CEO i Enterprise Greece dhe Ulrich Hermann, CEO i Next.e.GO Mobile.

“Ishte një hap i rëndësishëm në rrugën drejt rritjes ndërkombëtare të e.GO dhe është plotësisht në përputhje me misionin për të transformuar lëvizjen elektronike urbane”, tha kompania.

“Next.e.GO Mobile synon gjithashtu të krijojë një Kampus Teknologjie dhe Inovacioni në Greqi”, thanë përfaqësues të Enterprise Greece. Marrëveshja me Next.e.GO Mobile vjen vetëm disa javë pasi qeveria Greke dhe Volkswagen Group njoftuan një marrëveshje për një projekt novator të lëvizjes elektronike në ishullin Astypalaia.

Ndërkohë, e.GO është prodhuesi i vetëm i pavarur me makinë elektrike të homologuar në Evropë, përveç Tesla. Kompania do të nisë prodhimin e një automjeti me katër vende, në fabrikën e saj kryesore në Gjermani, në fillim të vitit 2021. Pas Gjermanisë dhe Greqisë pritet të vijojë prodhimi në Francë, Itali, Dubai dhe SHBA.

“ND Group”, kompania e biznesmenit shqiptar pjesë e teknologjisë së prodhimit të makinave

“ND Group” me seli në Holandë, është një kompani investimesh e themeluar dhe drejtuar nga Nazif Destani. Ai ka ndërtuar një grup të fuqishëm sipërmarrjesh që operojnë globalisht në më shumë se 40 shtete.

“ND group” llogarit një portofol të gjerë investimesh në fushën e shërbimeve, logjistikës, teknologjisë, fintech, energjisë së rinovueshme, shëndetësisë dhe së fundmi edhe automjeteve.

Emri i sipërmarrësit Destani është i njohur veçanërisht falë aktivitetit të kompanisë lidere në fushën e shërbimeve të logjistikës speciale “Ecolog International”.

“ND Group” nisi të funksionojë në fillim të viteve ’90 me kompaninë e parë si furnizues i shërbimeve, ndërsa është sot një aktor i rëndësishëm i tregut ndërkombëtar. Grupi numëron më shumë se 13,000 të punësuar në të gjithë botën.

Që nga shfaqja e pandemisë Covid 19, kompania Ecolog është përqendruar gjithashtu në ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Nën markën EcoCare, Ecolog organizon testime masive, në shtete të ndryshme brenda dhe jashtë BE-së, përfshirë Gjermaninë, Luksemburgun, Belgjikën, Holandën, Mbretërinë e Bashkuar, etj. EcoCare, gjithashtu ofron krijimin dhe operimin e qendrave të vaksinimit dhe ekipeve të lëvizshme të vaksinimit.

“Next.e.GO Mobile SE” është një kompani Gjermane e prodhimit të makinave elektrike, e krijuar në vitin 2015 nga profesori i inxhinierisë Mekanike të Universitetit Aachen, Dr. Günther Schuh.

Në Shtator 2020, “ND Group” e investitorit shqiptar Nazif Destani bleu shumicën e aksioneve të “Next e.Go Mobile SE”.

Kompania me uzinën dhe qendrën e zhvillimit të vendosur në Aachen të Gjermanisë, numëron rreth 450 të punësuar. Ajo prodhon makina elektrike, të cilat janë në dispozicion me çmime të favorshme dhe janë të përshtatshme për përdorimin në qytet.

(Në foto: zyrat qendrore të kompanisë)
Me marrjen e kontrollit, “ND Group” ka implementuar një strategji të re të zhvillimit të shpejtë, me qëllim që viti 2021 ta gjejë makinën E.GO në treg dhe të gatshme për përdoruesit.

E.Go Mobile do të prodhojë edhe autobusë elektrikë me bateri, me qëllim lehtësimin e fluksit të trafikut nëpër qytete dhe përmirësimin e shërbimit për pasagjerët./GazetaPopulli